Kusari – Lila flet për humbjen e saj në Gjakovë  

Kusari – Lila flet për humbjen e saj në Gjakovë  

Shpresa e dy kandidateve të vetme gra në zgjedhjet lokale për të udhëhequr në njërën prej 38 komunave të Kosovës është shuar mbrëmë.

Valdete Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Mimoza Kusari – Lila me partinë e saj Alternativa, nuk arritën të marrin frontin e komunave nga të cilat vijnë.

Ani pse Mimoza Kusari – Lila e cila garoi për herë të dytë për kryetare të Komunës së Gjakovës, ajo u mposht nga kundër kandidati i saj Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Për Kusari – Lilën, rezultati për komunën e Gjakovës ka qenë i ngushtë në mes saj dhe kundër kandidatit të saj.

Në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, Kusari – Lila është shprehur se ka pritur fitore mirëpo që kjo ka qenë zgjedhja e elektoratit.

“Jo natyrisht që kam prit fitore, rezultati ka qenë i ngushtë, po që elektorati kështu e deshti, besoj që zgjedhjet teknikisht kanë shkuar mirë, nuk ka pas keqpërdorim apo nuk është lejuar që të ketë manipulime në vend votime, është rezultat real edhe te shohim si po vazhdon tash rrugëtimi me Gjakovën”, ka thënë Kusari Lila.

Me këtë rezultat të zgjedhjeve 38 komunat e Kosovës do të udhëheqin nga burrat. Mimoza Kusari – Lila është shprehur se kjo është një pasqyrë e shoqërisë tonë.

“Është një teren ma i vështirë për gratë duke e parë edhe elementin e mizogjenisë mashkullore duke e parë që gjatë krejt kohës gjykimet edhe paragjykimet që i bahen grave janë shumë ma të randa”, është shprehur Kusari – Lila.

Ajo ka thënë se për gratë kjo është një betejë shumë e gjatë që nuk kryhet me një proces zgjedhor, për pozitën e gruas në shoqni është vetëm një pasqyre e asaj se si perceptohet po janë edhe shumë rrethana tjera.

Gjithashtu ajo ka shtuar se “edhe partitë nuk kanë pas kandidate serioze femra tregon për demokracinë brenda partive politike po flas partitë e mëdha”, ka thënë Kusari – Lila.

Mimoza Kusari-Lila e cila kishte mbajtur postin e kryetares së komunës së Gjakovës fitoi 18 mijë e 791 vota apo 46.51%. Përderisa kundër kandidati i saj Ardian Gjini fitoi 21 mijë e 607 vota, apo 53.49% të votave.

Në garë për kryetare të komunave ka qenë Sabihaja Shala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kandidate për komunë të Pejës, Valdete Idrizi kandidate në komunën e Mitrovicës dhe Mimoza Kusari – Lila kandidate në komunën e Gjakovës. /Insajderi.com