Kusari-Lila, Hotit: Millosheviqi ka dashur ta marrë Ujmanin – ju po e jetësoni tash

Mimoza Kusari-Lila e Avdullah Hoti janë përplasur në seancën e sotme parlamentare kur është diskutuar për Ujmanin. Kusari-Lila ka thënë se Hoti po e jetëson atë që dikur e donte Millosheviqi dhe se është e tmerruar me vendimet e kryeministrit. Hoti ka ironizuar. I ka thënë se do të vazhdojë të tmerrohet, por nga vendimet e mira të tij.

Kusari-Lila, Hotit: Millosheviqi ka dashur ta marrë Ujmanin – ju po e jetësoni tash

Mimoza Kusari-Lila, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë në fjalimin e saj në Kuvend se atë çka donte ta bënte dikur krimineli Slobodan Millosheviq, po e konkretizon sot kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

“Një herë dikur Millosheviqi ka dashur ta marrë Ujmanin, ju tash po e jetësoni me nënshkrim”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo nuk është ndalur me kaq.

Krahasimin e Liqenit të Ujmanit me Liqenin e Shkodrës e atë të Ohrit që Hoti e bëri, Kusari-Lila tha se është për turp.

“Ta krahasosh Ujmanin me Liqenin e Shkodrës a Liqenin e Ohrit është turp”, pohoi Kusari-Lila, derisa shtoi se po “tmerrohem” me vendimet dhe deklarimet e Hotit.

Kryeministri i ka replikuar deputetes së Vetëvendosjes. Ka thënë se nuk dëshiron të bëjë debat fyes me askë, derisa ka shtuar duke ironizuar se “ti Mimoza do të tmerrohesh vazhdimisht me vendimet e mira të kësaj qeverie”./Insajderi.com