Kusari-Lila kritikon Hotin pasi pas testimit nuk u vetizolua

Kusari-Lila kritikon Hotin pasi pas testimit nuk u vetizolua

Deputetja në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas infektimit të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me virusin COVID-19.

Sipas Kusarit, Avdullah Hoti, nuk ka respektuar protokollin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, duke mos u izoluar pas testimit dhe kështu ka rrezikuar shumë qytetarë.

“Pse z. Hoti pasi u testua doli në terren dhe takoi dhjetëra njerëz e biznese të cilët sot të gjithë potencialisht janë të rrezikuar e sigurisht disa prej tyre, nuk do t’iu jepet as mundësia për t’u testuar. Asnjëri nga ta nuk ia pat me borxh të marrë virusin nga Kryeministri”, ka shkruar ndër tjerash Kusari-Lila në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka rezultuar pozitiv me COVID-19 – për këtë ai ka lajmëruar opinionin publik përmes një postimi në Facebook.

Hoti i shtohet listës së politikanëve që infektohen me Coronavirus. I infektuar është edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tashmë i shëruar. /Insajderi.com/

Postimi i plotë i Mimoza Kusari-Lila

Mirëmëngjesi Kosovë,

E Hënë, ditë e re dhe javë e re.

Lajmi i mbrëmjes, z. Avdullah Hoti doli pozitiv me virusin Covid – 19. Ky lajm nuk është ndonjë çudi. Tanimë virusin e kemi mes nesh dhe secili mund të jetë personi i radhës i infektuar kur nuk i respekton udhëzimet e IKSHPK-së.

Me këtë rast z. Hoti i uroj shërim të shpejt dhe kthim në detyrën e tij nga e cila shpresoj se i shëruar dhe i fortë do të largohet së shpejti!

Arsyet për këtë largim po rriten çdo ditë e më shumë.
Pasi nuk u ndie mirë dhe pasi pati arsye të testohet, pse nuk u izolua z. Hoti?
Pse ai bëri të kundërten e protokollit i cili sygjeron se prej testimit deri tek marrja e rezultatit, personi izolohet?
Pse z. Hoti pasi u testua doli në terren dhe takoi dhjetëra njerëz e biznese të cilët sot të gjithë potencialisht janë të rrezikuar e sigurisht disa prej tyre, nuk do t’iu ipet as mundësia për t’u testuar. Asnjëri nga ta nuk ia pat me borxh të marrë virusin nga Kryeministri.
A do të thotë kjo që në javën kur vdekshmëria nga pandemia arriti kulmin më të lartë, Kosova ka një Kryeministër që injoron protokollin, vënë në rrezik bashkëpunëtorët dhe qytetarët e vendit me vizita tē paarsyeshme për kohë pandemie.

Z. Hoti, nga zemra ju uroj të shëroheni ju dhe të gjithë ata që janë të prekur nga ky virus. Gjithashtu, uroj që sa më pak të keni shpërndarë virusin tek bashkëpunëtorët që ishin me ju në vizita dhe poashtu tek ata që i vizituat.

Ju asgjë nuk keni bërë për t’a lehtësuar këtë pandemi në Kosovë që kur jeni në atë zyre, ndërsa, me dje, edhe fizikisht keni rrezikuar biznese dhe jetëra njerzish.

Uroj asnjë tjetër mos të ketë virusin, ndërsa ju me sjelljen tuaj pasi të jeni shëndoshë na keni dhënë edhe një arsye për të ju shkarkuar. Ndërsa, do të ishte shumë e duhur, sikur ju dhe qeveria të jepni dorëheqje vetë, të paktën do kishim një bindje se më në fund e kuptuat përgjegjësinë dhe jo përgjegjshmërinë tuaj.

Shëndet e qofshin të shkuara këto ditë!