Kusari-Lila paralajmëron rrëzimin e Qeverisë Hoti

Kusari-Lila paralajmëron rrëzimin e Qeverisë Hoti

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë të drejtuar nga Avdullah Hoti, transmeton Insajderi.

Ajo thotë se në javët në vijim do të riaktivizojnë mocionin e mosbesimit ndaj ekzekutivit, duke shtuar se aktualisht ka deputetë të mjaftueshëm për të ftuar seancën, e më pas votuar pro shkarkimit të kryeministrit Hoti.

Kusari-Lila thotë për KP se ende nuk kanë marrë vendim se a do t’iu kërkojnë nënshkrimet edhe deputetëve të Listës Serbe, pas deklaratave të tyre pro rrëzimit të Qeverisë Hoti.

“Natyrisht se mbetet aktuale kërkesa jonë për mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e qeverisë apo mosbesimin e Qeverisë Hoti. Por do të rishikohet në javët në vijim ripozicionimi ynë si Grup Parlamentar, në kuptimin e organizimit dhe marrjes së mbështetjes dhe nga deputetë të tjerë të gatshëm për të rrëzuar Qeverinë Hoti. […] Nuk mund të mohoj, as pohoj në këtë moment dhe këto rrethana. Por besoj që mund të ketë mjaftueshëm deputetë të shumicës shqiptare, por edhe pakicave të tjera për të ftuar seancën fillimisht, e më pastaj për të votuar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Hoti. Po mendoj se kur arrihet ajo pikë mund të mbeten vetëm disa deputetë të LDK-së që do të mbështetin këtë qeveri, ashtu siç po shihet dallimet po thellohet edhe ndërmjet partnerëve qeverisës, por edhe partitë që e kanë mbështetur”, ka thënë Kusari-Lila.

Deputetja që është në radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, thotë se zgjidhja e vetme për rrethanat aktuale politike janë zgjedhjet.

Këtë e bazon edhe në mungesën e numrave të koalicionit qeverisës në Kuvend dhe dështimin e miratimit të Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

“Vendi mund të ketë vetëm një zgjidhje, e cila është shkuarja në zgjedhje. Atë në një zgjedhje të jashtëzakonshme që do të organizoheshin konfrom masave për ruajtjen e shëndetit publik, siç është bërë në tërë botën. Tash edhe në vendet demokratike që kaluan në procese zgjedhore. Daljen e një qeverie me legjitimitet dhe një Kuvendi me përgjegjësi dhe program intensiv të ruajtjes së shëndetit, por edhe rimëkëmbjes”, ka thënë tutje ajo. /Insajderi.com