Kusari –Lila tregon nëse Qeveria Kurti 2 do të vendosë reciprocitet ndaj mallrave të Serbisë

Kusari –Lila tregon nëse Qeveria Kurti 2 do të vendosë reciprocitet ndaj mallrave të Serbisë

Deputetja e zgjedhur nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është deklaruar rreth planeve të parapara në Qeverinë Kurti 2, për çka foli edhe për barrierat tregtare mes shteteve karshi Kosovës, transmeton Insajderi.

Kusari-Lila u shpreh se gjithnjë është pro reciprocitetit.

“Barrierat tregtare që sot ekzistojnë dhe janë prezente edhe në rajon, përfshirë edhe me vendet mike, jo vetëm me Serbinë, dhe me vendet me të cilat kemi lidhje vëllazërore siç është rasti edhe me Shqipërinë, ka probleme  të cilat janë evidente në mes të tregtimit të qarkullimit të mallrave dhe operimit të bizneseve në këtë anë dhe në atë anë të kufirit”.

“Është problem tepër i rëndë qasja e Serbisë, dhe problemet që Serbia ia bënë Kosovës në veçanti edhe për transportin e mallrave sepse rruga më e shkurtër për në BE në transportin rrugor shkon përmes Serbisë. Qasja duhet të jetë e përgjithësuar, dhe me fokus e objektiv avancimin e sektorit të prodhimit në Kosovë për aq sa na lejon edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”.

“Ndërsa me vendet që nuk e respektojnë, përdoret reciprociteti. Unë jam ithtare e reciprocitetit jo vetëm në kuptimin politik, por jam ithtarë e reciprocitetit si parim i shtetësisë”.

“Do të thotë që me secilin shtet që shkakton probleme dhe vendos barriera prodhuesve apo qytetarëve të Republikës së Kosovës, së pari i tërhiqet vërejtja përmes mekanizmave ndërkombëtarë gjithmonë, dhe së dyti shkohet në veprime konkrete, për t’i bërë që ta ndjejnë të njëjtën në lëkurën e vet”.

Ndërkaq e pyetur në ‘7 ditë me Panxhën’, se a do t’i vendoste taksë Serbisë, nëse në Qeverinë e ardhme, ajo udhëheq me Ministrinë e Tregtisë, Mimoza Kusari tha se vendime të tilla, konsultohen nga kabineti qeverisës.

“Me Serbinë vendimet shkojnë përtej vetëm vendime ekonomike, janë vendime politike. Duhet të jenë vendime të kabinetit qeverisës. Politika ka dëmtuar ekonominë jo vetëm politika e Serbisë, por shpesh herë edhe politika e Kosovës ka dëmtuar ekonominë e Kosovës”, ka thënë ajo.

“Çka është me rëndësi është se unë besoj se në kabinetin qeveritar Kurti 2 do të ketë dakordim dhe koordinim dhe synim ndërsektorial në të gjitha nivelet e qeverisjes. Temat dhe çështjet si do të vijnë ashtu edhe do të trajtohen me prioritet”, ka përfunduar Kusari-Lila. /Insajderi.com