Kush do ta zëvendësojë Lutfi Hazirin në Gjilan?

Kush do ta zëvendësojë Lutfi Hazirin në Gjilan?

Tashmë është bërë e ditur se kryetari aktual i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nuk do të kandidojë për këtë post në zgjedhjet komunale të 2021-tës, por nuk dihet se nga kush do të zëvendësohet Haziri në kandidaturën e ardhshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Edhe pse aludohet për një kandidaturë të mundshme, nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi nuk e ka pohuar një gjë të tillë.

Ismajli tha se nuk mund të deklarojë nëse do të kandidojë ose jo, pasi që nuk është biseduar asgjë lidhur me zgjedhjet komunale as me kryetarin Haziri e as në strukturat e Partisë.

“Për asnjë kandidaturë në nuk kemi biseduar asnjëherë, as me kryetarin Haziri e as në strukturat e LDK-së. Unë nuk them se po kandidoj”, ka thënë Ismajli.

“Unë them se jam pjesë e familjes së madhe politike të LDK-së, dhe kam shprehur përkushtim dhe gatishmëri për të qenë pjesë sinergjike e kësaj familje, me detyra dhe përgjegjësi shtesë, me përkushtim dhe mirëkuptim për një politikë inkluzive që e kërkon koha dhe nevoja për të vazhduar konsulidimin e Republikës sonë, me urtësi dhe pragmatizëm Rugovian”, ka thënë tutje ai.

Edhe pse është personi më i afërt me Hazirin në këtë komunë, Ismajli së fundmi ka pasur një rol kyq gjatë kohës së pandemisë, duke i qëndruar afër qytetarëve andaj jo rastësisht shihet si kandidat i fuqishëm i LDK-së në zgjedhjet e 2021-tës.

Për aktivitetin e tij gjatë kësaj kohe ka dhënë më shumë detaje vetë Ismajli, i cili thotë se puna e tij nuk do të kishte sukses nëse nuk do të gërshetohej me atë të ekipit të profesionistëve, si mantelbardhët, Policia e Ushtria e Kosovës, puna e të cilëve rezultoi me një gjendje pozitive kundrejt kohës me të cilën po përballet vendi sot.

“Detyrat që kam bërë si nënkryetar, më kanë bërë të reflektojë edukatën time profesionale, trashëgiminë intelektuale të prindërve të mi, që është humanizmi dhe besueshmëria për të marrë përgjegjësi. Këtë e realizuam bashkë në kohën e pandemisë. E realizuam atë që e ditëm më së miri në përballje me këtë të keqe të njerëzimit, siç është pandemia COVID-19. Ishte një ekip profesionistësh, në koordinim të plotë me kryetarin Haziri, duke qenë koherent me nevojat e qytetarëve, në bashkëpunim të mirëfilltë me mantelbardhët, Policinë e Republikës, Ushtrinë e Republikës, dhe të gjithë mekanizmat relevant, për të reflektuar gjendje pozitive, kundrejt kohës me të cilën po ballafaqohemi”, ka thënë Ismajli.

Kryetari i LDK-së në Gjilan, njëherësh edhe lider i kësaj komune, Lutfi Haziri, ditë më parë ka treguar se nuk do të kandidojë më për të parin e Gjilanit.

Haziri në një intervistë televizive ka thënë se po mundohet ta mbyll mandatin e tij të katërt në Gjilan në mënyrën më të mirë pasi ka ardhë koha “me u nda”.

Ai ka thënë se ka ardhur koha që të ndërtohet një ekip të ri, gjeneratë të re për komunën e Gjilanit.

Haziri mori në dorë timonin e kësaj komune që nga viti 2000, kur ai u zgjodh kryetar për të qëndruar në këtë pozitë deri në vitin 2004. Pas pjesëmarrjes së tij aktive në institucione të ndryshme të vendit, Haziri u rizgjodh kryetar i kësaj komune sërish në vitin 2013, për ta përmbyllur mandatin e tij të katërt komunal vitin e ardhshëm. /Insajderi.com