Kush është gruaja dhe dy kosovarët që ndihmuan grabitësit në Rinas

Kush është gruaja dhe dy kosovarët  që ndihmuan grabitësit në Rinas

Hetimet për grabitjen e 9 Prillit në Rinas vazhdojnë me intensitet të lartë, ndërsa detaje të reja ka dhënë i penduari i drejtësisë, Alkond Bengasi.  Po ashtu dyshime ka se dhe një femër ka qenë pjesë e grabitjes së 6.5 milionë eurove.

Bëhet fjalë për 31-vjeçaren E.Bici. Ka dyshime se kjo shtetase ka djegur një nga automjetet që të krijonte kaos te policia, që u drejtua në krahun e kundërt të drejtimit të grabitësve.

Dëshmia e Alkond Bengasit

Ai ka dëshmuar para grupit hetimor se pranoi të modifikonte furgonët më të cilët u krye grabitja për arsye ekonomike. Bengasi mësohet të ketë thënë se kanë qenë kushërinjtë e tij Klement dhe Eldi Çala ata që ia kanë kërkuar të bashkëpunonte me ta. Para grupit hetimor Bengasi mësohet të ketë thënë se është takuar me Admir Muratajn dhe dy persona të tjerë nga Kosova, të cilët i kanë dorëzuar pas një dreke të konsumuar së bashku në Kavajë furgonët që do të modifikonte.

Referuar drekës tek “Shkëmbi i Kavajës”, i penduari Bengasi mësohet të këtë thënë se përveç Admir Muratajt i kishte takuar edhe 2 persona nga Kosova, njërin që e thërrisnin “Daja” ndërsa tjetrin “Tani”.

Policia arriti të identifikonte Alkond Bengasin pasi në furgonin me mbishkrimin  “Hetimi Tatimor” janë gjetur në pjesën e brendshme, shenjat e gishtave të tij. Bengasi është një ndër pesë personat e arrestuar deri më tani. Dje u arrestua Elton Pikli, 32 vjeç nga Kruja, teksa tentonte të largohej drejt Bullgarisë, ndërsa më herët janë vënë në pranga edhe Oltion Veseli, Renaldo Sula, dhe Saimir Çala. /Opinion.al