Kush është Peter Beyer? Gjermani i lidhur me SHBA-në që përmendi liberalizimin si dhuratë për fundvit

Kush është Peter Beyer? Gjermani i lidhur me SHBA-në që përmendi liberalizimin si dhuratë për fundvit

Peter Beyer është deputet i Bundestagut gjerman nga partia e CDU-së së Angela Merkel dhe kosovarët e mbajnë mend nga vizita e tij në Prishtinë kur tha se liberalizimi i vizave mund të vijë si dhuratë për Krishtlindje, pikërisht rreth 25 dhjetorit, datë kur ai e feston edhe ditëlindjen e tij.

Beyer është lindur më 25 dhjetor 1970 në Ratigen të Gjermanisë. Pasi përfundoi shkollimin e lartë në vitin 1991, ai kreu edhe shërbimin ushtarak në Wuppertal.

Beyer më pas studioi për drejtësi në universitetin e Dyseldorfit dhe të Bonit. Në vitin 1999, ai diplomoi dhe më pas u punësua në janë studio ligjore.

Beyer filloi karrierën e tij si avokat në studion ligjore Brown & Platt. Gjithashtu, ai ka punuar me studiot ligjore Brinks, Hofer, Gilson & Lione në Çikago dhe Murchison & Cumming në Los Anxhelos.

Në vitin 2000, ai u regjistrua në një program studimesh juridike pasuniversitare në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Virxhinias në Charlottesville dhe mori një diplomë Master.

Pas kthimit në Gjermani, Beyer vijoi karrierën në studion ligjore Beyer në Ratingen, ku ai u bë një nga specialistët e parë të vendit të certifikuar zyrtarisht për çështjet e pronësisë intelektuale.

Në vitin 2009, 2013 dhe 2017 ai u zgjodh deputet i Bundestagut gjerman për të përfaqësuar qytetarët e Heiligenhaus, Ratingen, Velbert dhe Wulfrath.

Beyer është një nga njerëzit që promovon dhe lobon për një marrëdhënie të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë.

Ai shërben si Raportues Special i Parlamentit për Marrëdhëniet Transatlantike në Komisionin për Punë të Jashtme. Ai është një anëtar aktiv disa organizatave dhe institucioneve që promovojnë bashkëpunimin me SHBA-të.

Beyer është gjithashtu nënkryetar i Shoqatës së Evropës Juglindore.

Në prill të vitit të kaluar, Beyer u emërua Koordinator i Bashkëpunimit Transatlantik në Parlamentin gjerman.