Kush është Ukë Rugova dhe përse Amerika nuk e do në tokën e saj

Kush është Ukë Rugova dhe përse Amerika nuk e do në tokën e saj

Ambasada Amerikane në Kosovë ka vendosur t’i pezullojë disa persona zyrtarë vizat për në SHBA-në. Në mesin e katër rasteve që SHBA ka përmendur ka qenë edhe rasti me vizat italiane. Aty i përfshirë është Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Uka akuzohet se ka drejtuar një grup kriminal prej 21 personash, pjesë e të cilit është edhe ish-ministri Astrit Haraqija, shkruan Insajderi.

Ambasada ka bërë të qartë qëndrimin e saj për zyrtarët që dyshohet të jenë të përfshirë në korrupsion.

“Lidhur me këtë, Ambasada e SHBA-ve është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm”, thuhet në komunikatë.

Ukë Rugova që ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës gjatë periudhës 2010-2014, është i dyshuar për rastin e keqpërdorimit me viza italiane. Më 16 maj të vitit 2016-të, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Ukë Rugovës.

Rugova, ngarkohet me akuzën se ka drejtuar e mbikëqyrur një grup kriminal që përfitonte shuma të mëdha parash nga njerëzit që kishin nevojë të pajiseshin me Viza Shengen. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Aplikacionet që ishin gjetur në rezidencën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, korrespondojnë me të dhënat personale të 300 personave që janë nxjerrë nga e-mailin i të akuzuarit tjetër, Visar Beqiri.

Përgjimet telefonike ndërkaq, janë prova tjera shtesë që sipas Prokurorisë konfirmojnë dyshimin e bazuar se 20 të akuzuarit kanë kryer vepra penale të lidhura me krimin e organizuar. Me anë të përgjimeve, Astrit Haraqija bëhet pjesë e grupit. 80 klientë dyshohet se siguroi ai.

Insajderi kishte siguruar dosjen hetimore kundër 20 të akuzuarve, përfshirë përgjimet telefonike. Bazuar në këto prova, Prokuroria u kishte bërë profil secilit prej të akuzuarve. Në krye të listës qëndronte Ukë Rugova.

“Provat e paraqesin Ukë Rugovën si udhëheqës i grupit kriminal të organizuar që nga maji 2011”, thoshte Prokuroria.

“Aplikacionet duke filluar nga kjo datë janë gjetur në vendbanimin e tij. Sasia e dokumenteve që lidhen me aplikacionet për viza italiane të gjetura gjatë bastisjes dhe në kompjuterët e tij ishte e madhe”, thuhej në aktakuzë.

Prokuroria i theksonte provat e marra nga autoritetet italiane të cilat tregojnë se të paktën 614 aplikime për vizë lidhen me Ukë Rugovën.

“Nga letrat për kërkesë të vizës dhe letërgarancitë personale, emrat e të paktën edhe 397 personave mund të identifikohen për të cilët së paku ka pasur përgatitje për të aplikuar për viza të ndërmarrë nga Ukë Rugova”.

Kujtojmë se ish-presidenti Ibrahim Rugova, njihej për marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai sa ishte gjallë, pothuajse pas çdo fjalimi a komunikate e përsëriste “Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti e bekoftë miqësinë tonë”.

Por siç duket, kjo miqësi e familjes Rugova me SHBA-të, do të marrë fund./Insajderi.com/