Kush janë përfaqësuesit e komuniteteve që përfituan në emër të popullit?

Ish-deputeti Danush Ademi, ish-zëvendësministri Qazim Rrahmani, e ish-deputeti Etem Arifi, janë vetëm disa nga përfaqësuesi e komuniteteve në Kosovë, që kanë keqpërdorur fondet e ndara për komunitetet e tyre. Derisa pjesëtarët e komuniteteve të tyre mbesin pa përkujdesje, ani pse zyrtarisht ndahen miliona euro për ta që nga pas lufta.

Kush janë përfaqësuesit e komuniteteve që përfituan në emër të popullit?

Përveç përfitimeve nga fondi për ndërtimin e shtëpive për komunitetet, përfaqësuesit e komuniteteve në Kosovë, kishin gjetur edhe një formë tjetër të keqpërdorimit të parave të ndara për komunitetet.

Bajram Ilazi, që është aktivist i shoqërisë civile nga komunitetit shkali, për dokumentarin InDoks ka treguar se si këta lider politik kanë përfituar edhe përmes organizatave jo-qeveritare.

“Shumica e këtyre liderëve kanë hapur shoqata dhe organizata jo-qeveritre, ku edhe përmes mekanizmave të tjerë, ka pasur keqpërdorime. Unë besoj që deputetët tanë duhet të ndiqen penalisht, dhe po besoj që do të del një prokuror i guximshëm që do të merret me këto raste”, tha Ilazi.

Sipas tij, gjendja e komuniteteve, në Kosovë, përmirësohet duke filluar nga drejtësia.

“Të gjithë ata që kanë aferat korruptive duhet të dalin para drejtësisë”, thotë Ilazi.

Përveç Danush Ademit , Ilazi zë në gojë edhe së paku dy politikanë të komuniteteve e që ata janë dënuar për keqpërdorime.

Njëri nga ta, i dënuar për keqpërdorime është edhe Qazim Rrahmani, për një kohë edhe zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës.

Rrahmani gjatë periudhës qershor 2015 e deri në janar 2016, nga kartela bankare, zyrtare, e destinuar për udhëtime jashtë vendit, ka nxjerr shumën prej 12.363.40 euro, pa pasur aprovim për udhëtime zyrtare.

Për këtë ishte shpallur edhe fajtor nga Gjykata.

Ky i dënuar për keqpërdorim të pozitës e parasë publike vite më parë kishte shtruar edhe një iftar. Nuk dihet se a e bëri këtë ngjarje me paratë e tij, apo me paratë e shtetit, por dihet që në të kishte ftuar edhe imamin kontrovers, Shefqet Krasniqi, që doli i pafajshëm më vonë nga akuzat për vepra që lidheshin me terrorizmin.

Por, Rrahmani nuk është as i pari e as i fundit lider politik i komunitetit pakicë që është gjetur fajtor për keqpërdorim të pozitës.

Vitin e kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht, deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, pasi ai është shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Me dy vjet burgim me kusht, për të njëjtën vepër penale është dënuar edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Bajram Gashi, që kishte themeluar dhe drejtuar OJQ-në“Zëri i Ashkalinjve për Integrim”.

Akuza e ngarkonte ish-deputetin Arifi se ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyre shumën prej mbi  25 mijë eurosh.

Dhe, këto para, sipas prokurorisë, nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe Gashi për persona të tjerë.

E larg OJQ-ve nuk kishte qëndruar as deputeti i përmendur në shumë afera, Danush Ademi.

Ai madje ka themeluar një OJQ që ishte pjesë e shumë aktiviteteve e projekteve edhe qeveritare.

OJQ-ja “Qendra e Komunitetit Ashkanli” është themeluar nga Danush Ademi në vitin 2003. Bashkëthemelues me të ishin edhe Avdyl Kopili e Selajdin Dudaku.

Derisa Danush Ademi ishte ende deputet, në vitin 2017 kjo OJQ mori nga Qeveria e Kosovës mbi 27 mijë euro donacione. Ky projekt, sipas një reagimi të publikuar më vonë nga pjesëtarë të këtij komuniteti, ishte projekt për mbështetjen e 1000 familjeve të komunitetit ashkali.

“Ky vendim i Qeverisë së Kosovës u keq-përdor nga Deputeti i Ashkanlive Danush Ademi dhe nga Kshilltari Politik i Kryeministrit Arben Shabani i cili vjen nga subjekti i Deputetit Ademi. Si pjestar i komunitetit Ashkali, unë dhe familja ime kemi pranuar një pako ushqimore me përmbajtje dhe artikuj që nuk ka vlerë më shumë se 18 Euro, por neve na është thënë se kjo pako është blerë për 27 euro, kjo edhe për faktin që dihet se janë përkrahur vetëm 1 mijë familje me nga një pako, që i bie se janë keqpërdorur dhjetë mijë euro”, thuhet në këtë reagim.

Ende nuk dihet se si janë përdoru këto para, por dihet se e njëjta OJQ në kohën kur kryetari i kuvendit, Kadri Veseli kishte marrë një iniciativë të çuditshme për të shpërndarë subvencione për OJQ, edhe nga ky rast përfitoi OJQ-ja e themeluar nga ish-deputeti.

Ishte një fond prej afro 2 mijë eurosh i ndarë nga Kuvendi për këtë organizata, ani pse themeluesi i saj ishte edhe deputet.

Për keqpërdorime me këtë OJQ Danush Ademin e kishte akuzuar Asllan Kryeziu, i dorëhequr më vonë nga partia e Ademit. Në letrën e dorëheqjes pos qe e akuzoi për diktaturë në parti e krijim klanesh, ai e zë në gojë edhe keqpërdorimin e fondeve.

“Danush Ademi njeriu Ashkali më i korruptuari në Kosovë i cili din të mbroj vetën ku keqpërdori mijëra euro të PDAK-së ,përfitoi shumë fonde në cilësinë e kryetarit dhe Deputetit të Kuvendit të Kosovës në emër të OJQ-së Qendra e Komunitetit Ashkanli organizatë kjo e cila është udhëhequr po nga ky njeri,dhe asnjëherë nuk u morë drejtësia me të”, thuhet ndër të tjera në letrën e dorëheqjes.

Elbert Krasniqi, deputet i ardhshëm i komunitetit egjipjan, i cili po ashtu ka premtuar votën për krijimin e Qeverisë Kurti, nuk ka pranuar që të flas drejtpërsëdrejti për aferat e publikuara të liderëve politikë të komuniteteve pakicë, por sugjeron që të shikohet nga hetuesia pasuria e tyre.

“Nuk mund të pronocohem konkretisht për këtë çështje, shumica e këtyre rasteve janë edhe publike, dhe duhet të këtë një kujdes të veçantë nga organet e shtetit për pasurimin e politikanëve edhe nga radhët e komunitetit, mos të mbetemi jashtë llupës së shtetit se janë më pak ë rëndësishëm në agjendën ditore politike, ka nga politikanët që kanë rrit pasurinë edhe duhet të hetohen nga organet e rendit”, shprehet Krasniqi.

Sipas deklarimit të pasurisë Danush Ademi, deri tash deputet i komunitetit ashkali ka deklaruar e ka vetëm një shtëpi në vlerë prej 80 mijë eurosh. PO ashtu ka një lokal në vlerë mbi 30 mijë euro dhe vozitë një veturë që vlen mbi 15 mijë euro. sa ishte deputet deklaroi se me pagën e mëditjet i ka marrë mbi 26 mijë euro para të thata në vit.

Deputeti tjetër nga komuniteti egjiptas, Veton Berisha, që nuk është pajtuar që të flasë për këtë dokumentar, ka deklaruar në vitin 2018 një pasuri që e fut atë diku tek milionerët.

Vetëm prona të trashëguara i ka deklaruar, në vlerë mbi 880 mijë euro. edhe shtëpi e banesa bashkë i ka në vlerë mbi 140 mijë euro. Të gjitha i ka deklaruar në pronësi të prindërve derisa thotë që vozitë një veturë që kushton mbi 7 mijë euro e merr mbi 20 mijë euro në vit nga Kuvendi i Kosovës.

Derisa liderët e tyre deklarojnë qindra e mijëra euro prona, si jetojnë pjesëtarët e komuniteteve pakicë në vend? InDoks ka vizituar disa vendbanime të tyre.

 

Emran Rama, pjesëtar i komunitetit ashkali nga Fushë Kosova, ka treguar me emra se si përfaqësuesit e këtij komuniteti, përkundër që vozisin vetura 10-12 mijë euro, përsëri vazhdojnë  të përfitojnë për veten.

“Pasha zotin kanë kerre ka 10 mijë, 12 mijë euro vozitn edhe dalin lypin tokë, qajo um vjen inat, e une s’kom kurgja edhe nuk dal. Vinë kur është vakti i votimit, vijnë te shtëpia te marrin, vinë në mbramje t’i marrin letërnjoftimin për mos me votu për tjetër kon po për ta, tani në mengjes vinë në shtatë, tetë, të marrin me kerre për me votu. Kur është puna për ta interesi për ta, a kur është për dikond tjetër nuk i intereson, ta marrin voten edhe në fund, premtojnë kishe me ba diçka, kur vjen vaki sen, at veç fjalë kanë,  veç me i ndreq kushtet e veta, e për fukara nuk i interson kerkujt”, thotë Rama.

Bajram Ilazi, aktivisti i shoqërisë civile nga komunitetit ashkali, ka treguar për problemet me të cilat po përballën pjesëtarët e këtyre komuniteteve.

“Një numër i konsiderueshëm i komuniteteve, ballfaqohen më problem me banim, një pjesë e konsiderushme nuk kanë shtëpi ose shtëpi e tyre nuk janë në gjendje të mirë, një numër i tyre jetojnë në një shtëpi me një kulm, gjithashtu problematikë vazhdon të mbetetedhe arsimimi, pastaj diskriminimi që ju bëhet vazhdimisht, si dhe problemet e tjera. Të them të drejtën sa i përket stastistikave nuk kemi diçka të përafërt, sepse ato ndryshojnë, ku po them se pjesa më e madhe e komuniteteve shtëpitë e tyre i kanë të vjetra dihet që ato nuk zgjasin shumë”, shprehet Ilazi./Insajderi.