Kush janë personat që Kosova i sanksionoi për lidhje me me Hezbollahun?

Kush janë personat që Kosova i sanksionoi për lidhje me me Hezbollahun?

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e 27 tetorit, mori vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj shtatë personave dhe një kompanie, të lidhur me organizatën terroriste Hezbollah.

Pas marrjes së vendimit, në media u raportua se personat e sanksionuar janë shtetas të Kosovës. Por, një gjë të tillë e ka hedhur poshtë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.

Në faqen zyrtare të qeverisë bëhet e ditur se individët ndaj të cilëve janë vënë sanksione janë: Ali Reda Hassan al-Banai, Ali Red al-Qassabi Lari, Abd al-Muayyid al-Banai, Abd al-Rahman Abd-al-Nabi Shams, Yahya Muhammed al-Abd-al-Muhsin, Majdi Fa’iz al-Ustadz, Sulaiman al-Banai, si dhe kompania AlDar Properties.

Vendimi i publikuar në faqen e Zyrës së Kryeministrit

Sipas MPJD-së, masat e vendosura demonstrojnë angazhimin e Kosovës si pjesë aktive e aleancave ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut, marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleat i rëndësishëm, dhe partnerë të tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta, paqes dhe sigurisë”, kanë thënë nga ky institucion.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Sanksionet konsistojnë me ngrirjen e aseteve, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve nga individët dhe entitetet në Kosovë.

Më 23 qershor të vitit 2020, Qeveria e Kosovës e ka shpallur organizatë terroriste krahun politik dhe atë ushtarak të Hezbollahut.

Hezbollah është një grup shiit i Libanit, i themeluar në vitet e 80-ta. Më herët është shpallur organizatë terroriste edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera perëndimore.

Hezbollah përkrah ideologjinë islamike shiite të Teheranit dhe e konsideron liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si udhëzues politik dhe shpirtëror./Insajderi.com

Luftëtarët e Hezbollahut mbajnë flamuj ndërsa marrin pjesë në memorialin e udhëheqësit të tyre të vrarë Sheik Abbas al-Mousawi (Burimi: AP)