Kushtetuesja ndërpret shqyrtimin e ankesës së VV-së kundër Thaçit

Kushtetuesja ndërpret shqyrtimin e ankesës së VV-së kundër Thaçit

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi te deputeti atëhershëm i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala për t’i kërkuar votën për Qeverinë Hoti, transmeton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie të gjykatës, objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së, “vizitës së Presidentit të Republikës së Kosovës më 3 qershor 2020 në shtëpinë/banesën private të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gjykata thotë se “në kërkesën e tyre, parashtruesit pretendonin që duke përdorur mekanizma jokushtetues, Presidenti ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës, në veçanti të nenit 83 [Statusi i Presidentit], të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 14, të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] në lidhje me paragrafin 3, të nenit 7 [Vlerat], të nenit 65 [Kompetenca e Kuvendit], paragrafi 8, dhe të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës] të Kushtetutës së Republikës. Parashtruesit gjithashtu kërkuan që Gjykata të mbajë një seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast”.

“Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafin 6 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 59 dhe 75.5 të Rregullores së punës, të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së parashtruesve”, thuhet në vendim./Insajderi.com