Kushtetuesja – opsioni i fundit për ankesat e partive joserbe

Kushtetuesja – opsioni i fundit për ankesat e partive joserbe

Institucioni që duhet të trajtojë ankesat e partive nga komunitetet joserbe në Kosovës për anulimin e votave të qytetarëve serbë që kanë votuar për partitë boshnjake dhe rome në zgjedhjet e 14 shkurtit, është Gjykata Kushtetuese.

Kështu thotë drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, duke shtuar se është fakt i ditur devijimi i vullnetit të pakicave në zgjedhjet e 14 shkurtit, por që beson pak se PZAP-ja dhe Gjykata Supreme kanë mundësi të vendosin në favor të ankesës së këtyre partive.

“Në aspektin ligjor, ndoshta është pak problem që PZAP-ja dhe Gjykata Supreme të marrin vendime për shkak se ato vetëm i përcjellin parregullsitë që kanë qenë në proces dhe mund të kthejë në rinumërim apo rivotim”, tha Demhasaj për REL.

“Mendoj se kjo është lëndë më tepër për Gjykatën Kushtetuese sepse ne e dimë në Kushtetutë cili është qëllimi kryesor i vendeve të rezervuara (v.j. garantuara) për komunitetet. Në këtë moment mendoj se ka një devijim të qëllimit sepse qëllimi i këtyre vendeve është që secili komunitet të jetë i përfaqësuar dhe përfaqësimi vjen direkt nga qytetarët që vijnë nga komuniteti i caktuar dhe jo votat që vijnë nga komunitetet e tjera”, shtoi ai.

Kryetarja e Unioni Socialdemokrat (SDU) nga komuniteti boshnjak, Duda Bale, partia e së cilës nuk fitoi asnjë ulëse në kuvend, nuk e përjashtoi mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Ne jemi duke kërkuar anulimin e votave të serbëve që kanë votuar për boshnjakët”, tha Bale.

Në emër të partive të komuniteteve, rom, ashkali dhe egjiptian, Veton Berisha, tha se PZAP-ja duhet që të marrë parasysh ankesën e tyre, pasi që thotë se kanë dorëzuar dëshmi të mjaftueshme.

“Vota e komuniteteve është e lidhur me përfaqësuesit të cilët zgjedhen nga vetë ai komunitet dhe pretendimi ynë është se dy të zgjedhurit nga ‘Iniciativa Rome’ janë dy të zgjedhur përfaqësues të komuniteti rom, por që janë në 95.5 për qind të zgjedhur nga komuniteti serb”, tha Berisha. /Insajderi.com