
Një lajm që u publikua nga disa media se Vjosa Osmani, kryetarja e parlamentit të Kosovës, ka kërkuar mbrojtje nga KFOR-i në një takim që e pati me ambasadorët e QUINT-it është i pavërtetë.
Kështu është thënë në një njoftim për media nga zyra e kryeparlamentares, i cili është dhënë pikërisht për ta demantuar këtë lajm, sipas tyre të rrejshëm.
“Lajmi i publikuar sot në disa media se kinse Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka kërkuar mbrojtje personale nga KFOR-i, është i pavërtetë”, thuhet në njoftim.
“Po ashtu edhe citimi kinse nga takimi i saj me ambasadat e QUINT-it është i pavërtetë. Ndaj komplet lajmi është i pavërtetë. Kërkojmë nga mediat respektive që ta publikojnë demantin dhe ta largojnë lajmin nga portalet e tyre”, thuhet në njoftim./Insajderi.com