Kuvendi i Kosovës për vitin 2020 do të mbahet mend si legjislatura më e dobët për numrin e ligjeve të miratuara dhe për faktin se janë ndërruar dy qeveri, transmeton Insajderi.
Kështu kanë vlerësuar monitoruesit e Kuvendit të Kosovës, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Albert Krasniqi nga Demokraci plus (D+).
Eugen Cakolli vlerësoi se kjo legjislaturë është më e dobëta që e ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës.
“Kjo është një prej legjislaturave më të dobëta që kemi pasur ndonjëherë, si nga aspekti i përmbushjes së agjendës legjislative ashtu dhe nga aspekti i ekzekutivit dhe përfaqësimit të qytetarëve. Kjo legjislaturë do të mbahet mend për faktin se janë ndërruar dy qeveri brenda një viti”, ka thënë ai për Telegrafin.
“Konkretisht, Kuvendi ka miratuar gjithsej 17 ligje, të cilat pjesa dërrmuese janë ligje që prekin sektorin e financave apo Marrëveshje Ndërkombëtare të cilat kanë të bëjnë me marrjen e mjeteve të caktuara qoftë nga akterët e jashtëm apo në forma të tjera. Kuvendi ka miratuar projektin për buxhetin për shtyrje të linjave buxhetore, marrëveshje të tjera financiare ku nuk kemi ndonjë projektligj tjetër që rregullon aspekte më të përgjithshme apo specifike të jetës së qytetarëve”, ka shtuar tutje Cakolli.
Edhe Albert Krasniqi nga D+, vlerësoi se Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2020 ka vepruar në rrethana të jashtëzakonshme.
Siç tha ai, në fillim të vitit kishte vonesa në zgjedhjen e qeverisë Kurti, pastaj u përball me pandeminë dhe mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë gjë që ndikojë në reduktimin e aktiviteteve mbikëqyrëse dhe ligjbërëse, dhe në fund publikimi i njoftimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Përveç këtyre, edhe gjatë kohës së Qeverisë Hoti, mazhoranca në Kuvend nuk ishte stabile dhe nuk kishte aftësinë për të miratuar ligjet të cilat buronin direkt nga programi i qeverisë”, tha ai.
Krasniqi tha se Kuvendi u dëmtua edhe për nga kualiteti i përfaqësimit të deputetëve.
E sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative, Krasniqi theksoi se ky vit ishte më i dobëti i Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se gjatë vitit 2020 janë miratuar vetëm 17 ligje, prej të cilave 12 janë ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat kalojnë vetëm përmes një leximi.
“Nëse e krahasojmë numrin e ligjeve të miratuara brenda një viti, që nga viti 2008 e deri më tani, shohim që viti 2020 është viti më i dobët i Kuvendit sa i përket miratimit të ligjeve. Madje edhe gjatë viteve kur ka pasur zgjedhje, janë miratuar më shumë ligje se sa tani. Përveç kësaj, ndonëse ka qenë legjislaturë e re dhe gjithçka ka nisur nga zero, duke mos trashëguar pika të rendit të ditës nga vitit paraprak, në fund i janë grumbulluar 56 pika të cilat është dashur të shqyrtohen në seanca të kaluara. Akoma kanë mbetur pika të cilat nuk janë miratuar nga seancat e mbajtura në muajin gusht. Këto të dhëna flasin edhe për defekte në organizim të punëve të Kuvendit, për mungesë të përkushtimit të deputetëve për të përmbushur detyrimet e tyre, dhe paaftësi të mazhorancës për të shtyrë përpara programin e saj në Kuvend”, tha ndër të tjera Krasniqi nga D+. /Insajderi.com