Kuvendi i Kosovës shpjegon si u shpenzua buxheti për dreka zyrtare

Kuvendi i Kosovës shpjegon si u shpenzua buxheti për dreka zyrtare

Rreth 120 mijë euro janë shpenzuar për drekat dhe darkat e zyrtarëve të Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2017, është bërë e ditur dje në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa. Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar raportin vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2017.

Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës ka thënë për gazetën Insajderi e shpenzimet vjetore të Kuvendit për vitin 2017 janë në shumë totale prej 116,333 euro, e që sipas tij, krahasuar me vitin 2016 janë më të vogla për 28,701 euro.

Krasniqi ka shpjeguar edhe se si këto shpenzime janë të ndara në tri programe. Kështu anëtarët e Kuvendit kishin shpenzim vjetor për vitin 2017, në shumë totale prej 104,647 euro, ose shpenzime më të vogla sesa viti 2016 në shumë prej 25,289 euro, Administrata e Kuvendit me shpenzim vjetor për vitin 2017, në shumë totale prej 10,218 euro, ose shpenzime më të vogla se sa viti 2016 në shumë prej 4,507 euro, dhe stafi mbështetës politik me shpenzim vjetor për vitin 2017, në shumë totale prej 1,467 euro, ose shpenzime më të mëdha sesa viti 2016 në shumë prej 1,096 euro.

“Nga shpenzimet e sipërcekura, në bufenë e Kuvendit janë bërë shpenzime në vitin 2017 në shumë totale prej 46,293 euro”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se shpenzimet e tjera janë bërë për pritjen e delegacioneve të ndryshme që kanë vizituar Kuvendin, si dhe për aktivitetet tjera të Kuvendit.

Ishte kryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, i cili kishte kërkuar dje sqarim për harxhimin e 116 mijë eurove për dreka zyrtare të stafit politik. Abdixhiku është shprehur i habitur për, siç ka thënë ai, “pagesën e drekave për dikë që punën në kompani private”.

“Tregoni çka janë këto shpenzime për dreka zyrtare. A janë vetëm të stafit politik apo të tjerëve? Unë se di pse institucionet me qit dreka, për dikë kur punon në kompani private?”, ka pyetur Abdixhiku.

Ndërkaq, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili ishte ftuar për raportim në mbledhjen e komisionit, kishte arsyetuar shpenzimet për dreka dhe darka, duke thënë  se gjatë vitit mbahen shumë takime me zyrtarë të huaj.

“Janë staf që organizojnë takime të niveleve të larta, zyrtarë protokolli të një shteti tjetër kur vijnë për t’u takuar me zyrtarë tanë”, ka thënë sekretari i Kuvendit.

Sekretari i Kuvendit po ashtu ka deklaruar se në shpenzimet e vitit 2017 për paga dhe mëditje janë realizuar 95,6%, mallra dhe shërbime 77,24%, shërbime komunale, 82,1% , shpenzime kapitale 29,74%.