Kuvendi krijon komisionin për Tribunalin Ndërkombëtar për krimet serbe

Kuvendi krijon komisionin për Tribunalin Ndërkombëtar për krimet serbe

Deputeti i partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, ka propozuar të krijohet një komision parlamentar, ku do të harmonizohen qëndrimet e gjithë deputetëve për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

Me 62 vota për dhe asnjë kundër, është miratuar propozimi i Topallit.

“Propozimi im konkret është që Kuvendi i Kosovës të krijoj një komision parlamentar, i cili pastaj do ta ketë për bazë këtë tekst, i cili na është dorëzuar ne, t’i harmonizojmë qëndrimet dhe pastaj bashkarisht, pra duke pasur këtë parasysh këtë rëndësi të madhe të çështjes, për të cilën kemi diskutuar edhe javët e kaluara në kuvend, që të ulemi bashkarisht dhe ta harmonizojmë një tekst, i cili do të miratohet me shumicë e anëtarëve të Kuvendit”, tha Topalli.

Ai tha se janë për krijimin e një tribunali dhe vënien e drejtësisë dhe të ndiqen të gjithë ata që kanë shkaktuar krime të luftës. Sipas tij, duhet të kalohen vijat dhe interesat partiake, e të krijohet një konsensus mbipartiak, për krijimin e një tribunali.