fbpx

Kuvendi maqedonas nën kontroll të policisë, tetë të arrestuar për dhunë ndaj deputetëve

Kuvendi maqedonas nën kontroll të policisë, tetë të arrestuar për dhunë ndaj deputetëve

Ministri i Punëve të brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha se një pjesë e strukturave udhëheqëse të dikasterit të policisë nuk e kanë kryer punën si duhet dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi.

“Kontrolli i brendshëm pranë MPB-së do të kërkojë përgjegjësi ndaj të gjithëve që nuk kanë vepruar në bazë të kompetencave përfshirë edhe anëtarët dhe udhëheqësit e shtabit operativ. MPB-ja është institucion që duhet ta garantojë rendin publik dhe jo të jetë institucion nën ndikimin e strukturave politike”, tha ministri Nuhiu.

Nuhiu tha se një pjesë e drejtuesve të dikasterit të policisë nuk kanë vepruar në bazë të ligjeve për të ruajtur qetësinë dhe rendin, por kanë vepruar në bazë të urdhrave që kanë marrë nga qendrat politike.

Megjithatë, Agim Nuhiu tha se pjesa më e madhe të punësuarve në dikasterin e policisë janë profesionistë me ndihmën e të cilëve situata është vënë nën kontroll.

Ministri Nuhiu tha se të gjithë ata të punësuar që kanë tejkaluar kompetencat, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë.

“Apelojmë tek Prokuroria Publike që në mënyrë aktive të inkuadrohet dhe në afat sa më të shpejtë t’i zgjidhim këto çështje. Dua të theksoj se jam i dëshpëruar se një pjesë e protestuesve nuk lejuan që ndihma e parë të hyjë në Kuvend dhe t’u ofrojë ndihmë të lënduarve. Kjo është jo-njerëzore” ,tha ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë.

Ai tha se për periudhën katër mujore sa është në krye të këtij institucioni, ndjen përgjegjësi se nuk ka arritur të mënjanojë politikën nga struktura udhëheqëse në MPB.

“Për këtë arsye do të kërkojë tërheqjen time nga posti i ministrit të brendshëm“, ka theksuar ministri Nuhiu.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se deri më tani janë arrestuar 8 persona të cilët kanë ushtruar dhunë në Parlamentin e Maqedonisë.

Ndryshe, përpara Parlamentit të Republikës së Maqedonisë situata duket se është e qetë ndërkohë që në derën kryesore hyrëse të Parlamentit vazhdojnë të qëndrojnë dhjetëra protestues të cilët mbrëmë kanë ngritur tenda.

Ndërkohë që rreth godinës së parlamentit ku janë vendosur barrikada metalike për të bllokuar qarkullimin e qytetarëve vërehet prania e përforcuar e forcave speciale të policisë të cilët kanë mbërritur nga shumë qytete të Maqedonisë.

Shërbimi për informim i Parlamentit të Maqedonisë ka njoftuar se protestuesit të cilët dje kanë hyrë në këtë institucion kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në disa pjesë të kësaj godine përderisa një pjesë e hapësirave për punë, qendra për konferencë për shtyp, por edhe salla “Maqedonia” janë jashtë përdorimit.

Nga ky institucion njoftojnë se po bëhen përpjekje maksimale për të kthyer në gjendje normaliteti këtë institucion.

Kryetarja e komitetit të Helsinkit në Shkup Uranija Pirovska, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se pjesë e inskenimit të dhunës në Parlamentin e Maqedonisë janë dhe forcat policore të cilat kanë lejuar hyrje të papenguar të protestuesve në Kuvend.

Piroska thotë se madje personat e maskuar janë orientuar nga policia se në cilën pjesë kanë qenë të vendosur deputetët të cilët më pas i kanë sulmuar fizikisht persona të maskuar.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme qindra protestues në organizim të iniciativës për ‘Maqedoni të përbashkët’, kanë hyrë në Parlamentin e Maqedonisë dhe kanë sulmuar deputetët e shumicës së re parlamentare pasi ata paraprakisht në një situatë të tensionuar zgjodhën kryetarin e ri këtij institucioni ligjvënës./REL/