Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme, pritet votimi i buxhetit 2021

Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme, pritet votimi i buxhetit 2021

Kuvendi i Kosovës mban sot seancë të jashtëzakonshme, ndërsa në rend dite është votimi i Projektligjit mbi ngjarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021 dhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, njofton Insajderi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë të ditur dje se seanca plenare është thirrur me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon miratimin e buxhetit para mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, pasi Kushtetuesja vendosi se vota e deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti në qershor ishte e pavlefshme.

Thirrje për votim të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare deputetëve u kanë bërë edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Nga ana tjetër edhe Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të votojë pro miratimit të buxhetit. /Insajderi.com