Kuvendi miraton Projektligjin për Gjykatën Komerciale

Kuvendi miraton Projektligjin për Gjykatën Komerciale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për formimin e Gjykatës Komerciale, njofton Insajderi.

Projektligji i propozuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje u votua me 66 vota pro, asnjë kundër dhe pesë abstenime.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka bërë të ditur se më pas komisioni funksional dhe komisionet e përhershme do t’i paraqesin Kuvendit të Kosovës raportin me rekomandime.

“Konstatoj se me 66 vota për, asnjë kundër, pesë abstenime, kuvendi miraton në parim projektligjin numër 08/L-015 për Gjykatën Komerciale.

Kërkohet nga komisioni funksional dhe komisionet e përhershme që në afatin e paraparë me rregulloren e kuvendit ta shqyrtojnë projektligjin dhe kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime”, ka njoftuar Bogujevci.

Më tej, ajo ka bërë të ditur se kjo seancë do të vazhdojë të hënën në orën 10:00./Insajderi.com