Ky është lajmi i fundit që vjen nga Policia e Kosovës për veriun e Mitrovicës

Jehona Zhuniqi

Ky është lajmi i fundit që vjen nga Policia e Kosovës për veriun e Mitrovicës

Situata e krijuar me koronavirus në Kosovë, e sidomos në pjesën veriore ka ngjallur reagime të shumta.

Të premten dy komuna serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe ajo e Zveçanit, janë futur në karantinë me vendim të Shtabeve të Krizave të themeluara në këto dy komuna.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës dhe Karabinierët e Italisë janë vendosur tek ura e Ibrit në Mitrovicë, duke mos lejuar qytetarët të dalin në pjesën veriore.

Madje, u raportua që në pjesën veriore po zbatohen vendimet e Qeverisë së Serbisë.

Mirëpo, këtë e hedh poshtë zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

Hoti, për Insajderin ka thënë se Policia e Kosovës asnjëherë nuk zbaton vendime të tjera pos të Qeverisë së Kosovës dhe urdhrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

“Asnjëherë Policia e Kosovës nuk zbaton vendime të tjera, përveç se vendimet që vijnë nga Qeveria e Kosovës dhe urdhrat që vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Pra, ne i zbatojmë këto urdhra të Qeverisë së Kosovës dhe vendimet që na lëshon Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Hoti, për Insajderin.

Mbrëmë në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia ka thënë se ka thënë se gjithçka është duke u bërë në koordinim të plotë me kryetarin e Mitrovicës Veriore dhe me atë të Zveçanit.

“Jemi në koordinim me kryetarët e komunave, atë të Mitrovicës Veriore dhe të Zveçanit, do të koordinohemi edhe me komunat tjera fqinje që të mbërrijmë bashkë fitoren dhe të shpëtojmë jetë”, tha Vitia, shkruan Insajderi.

Sipas tij, garantimi i dy komunave veriore është bërë me dijeninë e Qeverisë së Kosovës.

“Karantinimi i dy komunave në veri u bë me dijeninë tonë. Janë marrë masat sipas protokollit. Ne kemi vepruar nga udhëzimet që vijnë nga OBSH-ja”, ka thënë Vitia./Insajderi.com