Ky është zyrtari i dënuar për korrupsion që përmendet nga ambasadori amerikan

Ky është zyrtari i dënuar për korrupsion që përmendet nga ambasadori amerikan

Lulzim Kadriu është zyrtari në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë që  është përmendur nga ambasadori amerikan Philip Kosnett. Atij nuk i ka pëlqyer aspak emërimi i Kadriut në postin e drejtorit të Departamentit Ligjor.

Ka thënë se emërimi i fundit në këtë ministri është fyerje për qytetarët e Kosovës, përderisa ai ka qenë i dënuar për korrupsion, shkruan Insajderi.

“Në kategorinë e ‘emërimeve të pakualifikuara, Ministria e Inovacionit ka emëruar drejtor ligjor një person të dënuar për korrupsion, vendim të cilin e ka mbështetur edhe Apeli. Një fyerje për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Kosnett në Tëitter.

Kadriu ka qenë drejtor në Drejtorinë për Administratë, e më vonë për Gjeodezi dhe Kadastër, në Komunën e Skenderajt, të udhëhequr nga Sami Lushtaku.

Kadriu ishte akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, bashkë me zyrtarë të tjerë, por vetëm ai dhe Halim Gecaj ishin gjetur fajtorë. Të dy, në fund të tetorit të 2017-s, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ishin dënuar me nga 6 muaj burgim që me kërkesë të tyre, u ishte konvertuar në gjobë prej nga 1,800 eurosh.

E 6 muaj më vonë, edhe Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë, derisa rastet e tyre kishin të bënin me dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës, pa miratim të Kuvendit Komunal.

Pikërisht për këtë rast ka reaguar edhe Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili pothuajse çdo javë jep dy vlerësime për sundimin e ligjit në Kosovë – shembullin e mirë dhe të keqin.

Kujtojmë që edhe vetë, ministri i Inovacionit, Besim Beqaj është i akuzuar për korrupsion në rastin e Pronto për të cilën Insajderi kishte publikuar përgjime nga biseda e tij me Adem  Grabovcin.

Aty dëgjoheshin qartë duke vendosur për anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike me kushtin e vetëm që të jenë njerëz të partisë.

Ndërkohë, Kadri Veseli, pas rizgjedhejes në krye të PDK-së, ka mbajtur një fjalim, në të cilin thoshte se do ta  ‘çlirojë Kosovën nga korrupsioni, njëjtë sikurse e kishte çliruar nga Serbia”.

E gjithë këtë fjalim Veseli e ka mbajtur para syve të bashkë partiakut të tij, Besim Beqaj, i cili është nën hetime për korrupsion, dhe tash së fundi për drejtor të ministrisë së tij ka zgjedhur edhe një drejtor të dënuar për korrupsion.