KA VIRUS

Labinot Tahiri – mohuesi i vazhdueshëm i ekzistencës së virusit – del pozitiv me COVID’19?

Labinot Tahiri – mohuesi i vazhdueshëm i ekzistencës së virusit – del pozitiv me COVID’19?

Nga “S’ka virus” për Labinot Tahirin në “ka virus” shumë shpejt.

Gazeta Online Insajderi merr vesh nga burime të afërta me këngëtarin ferizajas se ai ka rezultuar pozitiv për Coronavirus.

Redaksia e ka kontaktuar Tahirin për një prononcim nga ai.

“Labi” nuk e ka mohuar se është i infektuar, por megjithatë nuk ka dashur të japë një përgjigje të prerë.

I kontaktuar përmes mesazhit me shkrim, Tahiri ka qeshur dhe më pas ka pyetur “Cili burim, ma jepni?”.

I pyetur përsëri, por pa iu dhënë burimi për lajmin, Tahiri ka vazhduar të refuzojë dhënien e një përgjigje të qartë.

Jo pa ma thënë burimin se kush ua ka thënë nuk ju jap intervistë”, ka deklaruar ai.

Këngëtari ka thënë se me të “s’ka anonim” dhe ka insistuar në zbulim të burimit.

Sikur unë duhet të jetë i drejtpërdrejtë. S’ka me rrejt”, ka shkruar ai.

Vetë këngëtari në mënyrë konstante kishte insistuar që njerëzit, përfshirë këtu dhe artistë të vazhdojnë aktivitetet e tyre si gjithmonë.

E gjitha duket se nisi në muajin maj me deklaratën e tij të gjatë të publikuar në rrjetin e tij social, Facebook, lidhur me anulimin e dasmave dhe ahengjeve – masë kjo e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, njofton Insajderi.

Ai tha se “nga ky vendim mbesin pa punë rreth 30 mijë punëtorë sa i përket restoranteve, e gjithashtu edhe ai si pjesë e estradës dëmtohet ekonomikisht, duke përmendur që ka edhe kredi në bankë me këstin mujor prej 2100 euro”. Ishte ky postimi kur për të parën herë, këngëtari kishte bërë me dije se do të organizonte protesta.

Postimi i këngëtarit ngjalli reagime të ndryshme; disa pajtoheshin me Tahirin e disa ishin kundër tij përfshirë dhe kolegen Leonora Jakupi e cila theksonte se “jeta e qytetarit është më e rëndësishme se gjithçka tjetër” dhe “për herë të parë nuk pajtohem me thirrjen e kolegut për protestë”.

Labi kishte mbrojtur deklaratat e tij edhe në studio televizive e madje ka pasur edhe një debat me kolegen e tij, Leonora Jakupin, duke i arsyetuar kërkesat e tij. Gjatë bisedës, Leonora i tha se ata si këngëtarë, me siguri se kanë ruajtur disa të holla për të kaluar këtë kohë pandemie dhe nuk ka arsye që të rrezikohen jetët e qytetarëve.

E si për të dëshmuar këtë, pas javës së parë të muajit maj, këngëtari ferizajas kishte blerë një veturë të re, lajm të cilin e bëri të ditur në rrjete sociale, djali i tij.

Një muaj do të kalonte dhe në qershor, postimet e Labit u shpeshtuan me theks të veçantë për  pandeminë – vlen të theksohet se platformat e tij në rrjete sociale, Tahiri për vite të tëra i ka përdorur duke bërë thirrje për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, teksa vetë inicionte dhe vazhdon të iniciojë fondacione për të sëmurët dhe skamnorët.

Labinot Tahiri vazhdimisht theksonte se coronavirus-i nuk ekziston dhe ndoshta e gjitha ishte një skemë mashtrimi. Teksa ndërkohë ai kishte paralajmëruar protesta për lejimin e organizmit të dasmave, një e tillë u organizua më 15 qershor ku u bashkëngjitën pronarë të restoranteve e disa këngëtarë si Edi Furra, Afrim Muqiqi, Edona Llalloshi, Mc Beka dhe Besart Halimi.

Në një intervistë gjatë protestës, teksa theksonte se parlamenti ka një numër të konsiderueshëm njerëzish pa maska, qendrat tregtare e lokalet dhe nuk po infektohen, thotë se “nëse në këtë protestë, sa persona jemi këtu, dikush rezulton me coronavirus, unë shkoj 10 vjet në burg. S’ka Virus!”.

Këngëtari do të vazhdonte me postimet e tij në rrjete sociale të cilat përmbanin një dozë të lartë skepticizmi për ekzistencën e virusit COVID-19; edhe nëse ekzistonte ishte krijuar nga ‘dora e njeriut.’

Spekulimet në lidhje me një vaksinë të ardhshme të coronavirus-it janë duke u shtuar dhe postimet në media nga fushatat kundër vaksinimit po fitojnë më shumë vëmendje në internet. Si rrjedhojë një tjetër postim i këngëtarit në Instagram, u bënte thirrje njerëzve të mos pranonin të vaksinoheshin, sepse “ju merr mali”. Mirëpo një vaksinë e tillë nuk është inxhinieruar ende.

Një tjetër çështje që mori mjaft vëmendje ishte peticioni i nisur me 6 korrik në Change.org, ku kërkohej që Labinot Tahiri të vizitojë të prekurit nga COVID-19 pa maska, të dëshmojë kështu që nuk ka virus. Një postim i Labit në llogarinë e tij në Facebook e quajti ‘koti’ këtë peticion e njëherësh propozoi një tjetër, për ndërtimin e një spitali në Ferizaj.

Këngëtari i cili është më se aktiv në media sociale, këto ditë ka zvogëluar aktivitetin e tij në rrjete – një vështrim në rrjetet e tij sociale shohim që këngëtari nuk ka qenë shumë aktiv në Facebook, me një postim të fundit me datë 11 korrik. E sa i përket Instagram-it, duke se ai ka deaktivizuar llogarinë e tij. /Insajderi.com