Lajçak: I kemi finalizuar disa çështje me Hysenin dhe Gjuriqin

Lajçak: I kemi finalizuar disa çështje me Hysenin dhe Gjuriqin

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se kanë arritur në përfundim të disa çështjeve që janë diskutuar në takimet e mëhershme ndërmjet dy shteteve.

Emisari i BE-së, këtë e tha pas takimit me Koordinatorin Shtetëror për Dialogun, Skender Hyseni, dhe drejtorin e të ashtuquajturës, “Zyre për Kosovën”, Marko Gjuriq, njofton Insajderi.

“Para takimit të nivelit të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës që do të mbahet në fillim të shtatorit, u takova sërish me negociatorët/koordinatorët në Bruksel për të punuar në përfundimin e çështjeve që janë diskutuar gjatë takimeve të fundit”, ka shkruar Lajçak.

Ky  takim i organizuar nga Bashkimit Evropian është mbajtur  në nivel ekspertesh, para takimit të nivelit të lartë të javës së parë të shtatorit, ku do të takohet kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Përpos dialogut në Bruksel – më 4 shtator në Uashington do të zhvillohet një takim ndërmjet dy vendeve, ndërmjetësuar nga emisari i Donald Trump-it për dialogun, Richard Grenell. /Insajderi.com.