Lajçak: Pas takimit me Vuçiqin do të caktohet takimi në mes Kosovës dhe Serbisë

Emisari i BE-së po e përmbyllë vizitën e tij zyrtare në Kosovë pas takimit me zyrtarët e lartë të shtetit.

Lajçak: Pas takimit me Vuçiqin do të caktohet takimi në mes Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi special i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak ka mbajtur një konferencë për media në prag të mbarimit të vizitës së tij në Kosovë.

Ai tha se është shumë i vendosur që të rinisë dialogu dhe që pas vizitës së tij në Beograd do ta caktojë datën e takimit të delegasionit të Kosovës dhe Serbisë.

“27 anëtarët e BE-së e dërguan një sinjal mjaft të qartë për angazhimin në Kosovë dhe në rajon. Ju e dini që sa herë që bëj diçka e bëj 100 %. Jam i vendosur për të rinisur dialogun dhe për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura. Kam pasur takime konstruktive me liderët politik në Kosovë dhe anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare. Unë kam theksuar se Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog. Diskutuam që të rifillojmë me shpejtësi dialogun, si dhe datat, metodologjitë, prioritetet. Jam i kënaqur me seriozitetin e treguar për rifillimin e dialogut. Në Beograd planifikoj t’i diskutoj këto elemente, që pas saj të shpallim takimin e parë”, tha Lajçak.

Më tutje ai theksoi se Kosova është pjesë e Europës dhe gjitha sukseset dhe problemet e Kosovës janë edhe të Europës

“Po largohem nga Kosova me sigurinë se janë krijuar kushtet që të rinisë dialogu. Kosova është pjesë e Evropës, sukseset dhe problemet tuaja janë edhe tonat. Rruga e Kosovës drejt Evropës shkon përmes këtij dialogu. Dua që Kosova të ecë përpara në këtë rrugë”, përfundoi Lajçak.

Lajçak është takuar me zyrtarët e lartë të shtetit dhe sot përfundon vizitën e tij zyrtare. /Insajderi/