Lajçak për dialogun: Asgjë nuk zgjidhet derisa gjithçka të zgjidhet

Lajçak për dialogun: Asgjë nuk zgjidhet derisa gjithçka të zgjidhet

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me synimin për normalizimin midis dy vendeve thotë se “Shkëmbimi i territoreve midis këtyre dy vendeve do të ishte një ide shumë e rrezikshme”, transmeton Insajderi.

Kështu është shprehur ai në një intervistë për të përditshmen franceze “Le Monde”, ku tutje u shpreh se në këto bisedime “asgjë nuk zgjidhet derisa gjithçka të zgjidhet”.

“Asnjë çështje nuk duhet të lihet mënjanë, siç kishte qenë rasti në të kaluarën, siç janë pretendimet e ndërsjella financiare ose mosmarrëveshjet pronësore. Temat e tjera ishin diskutuar, por diskutimet kurrë nuk rezultuan në zbatim. Pra, të dy palët e dinë saktësisht se çfarë po negociohet”, thotë tutje Lajçak.

“Ne tashmë kemi përfunduar diskutimet për personat e zhdukur, personat e zhvendosur ose bashkëpunimin ekonomik. Por asgjë nuk zgjidhet derisa gjithçka të zgjidhet”.

Lajçak më tej tha se gjëja më e rëndësishme për mua është edhe një herë konfirmimi se uniteti SHBA-Evropian është një faktor vendimtar për suksesin në Ballkan.

“Ne jemi komplementarë. Gjatë vitit të kaluar, ka pasur konfuzion rreth procesit të nisur nga Uashingtoni, i cili ishte kryesisht një person [Richard Grenell, i dërguari special i Donald Trump], jo administrata amerikane si e tillë. Mendimi i Departamentit të Shtetit ka qenë gjithmonë mbështetja e pozicionit të BE-së në rolin udhëheqës. Bashkëbiseduesit e mi rajonalë më thanë se ata nuk dëshironin të zgjidhnin midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës”, ka thënë Lajçak. /Insajderi.com