Lajçak: Takimi nuk ishte i lehtë, Kurti e Vuçiq treguan qartë çfarë duan

Lajçak: Takimi nuk ishte i lehtë, Kurti e Vuçiq treguan qartë çfarë duan

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas takimit të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai vlerëson se ky takim nuk ishte i lehtë, por që ishte e rëndësishme të zhvillohej, njofton Insajderi.

Siç njoftoi Lajçak në një adresim për media pas këtij takimi, të dy liderët qartësuan kërkesat e tyre dhe e konfirmuan se janë të angazhuar për të punuar në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut.

“Nuk ishte takim i lehtë por është e rëndësishme që ky takim ndodhi. Dy liderët treguan qartë se çfarë duan, dy liderët konfirmuan se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për normalizimin e marrëdhënieve përveç normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ”, tha Lajçak.

Diplomati sllovak më tej u shpreh se BE pret që Kurti dhe Vuçiq të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt BE-së.

“BE-ja ka pritshmëri të lartë nga dy liderët që të kapërcejnë të kaluarën dhe të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt të ardhmes evropiane”, tha Lajçak. /Insajderi.com