Lajçak: Vazhdimi i dialogut, brenda javësh

Lajçak: Vazhdimi i dialogut, brenda javësh

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thotë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të ndodhë brenda disa javësh, njofton Insajderi.

Ai thotë se është inkurajuar nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd, ku, siç shprehet, ka marrë garanci se udhëheqësit janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun.

Me Kurtin në krye të delegacionit të Kosovës, Lajçak beson se ekziston një situatë e re, sepse, sipas tij, të dy bartësit e dialogut tani kanë mandat shumë të fuqishëm.

Kështu thotë ai në një intervistë për REL, ku shton se nuk kanë kohë për të humbur, “sepse kalendari politik është i tillë që nuk ka zgjedhje të mëdha, nuk ka në Serbi, ka zgjedhje lokale në Kosovë në vjeshtë”.

Ai më tej shtoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të realizohet dhe nuk mund të sillemi sikur nuk ekziston.

“Ekziston një parim shumë mirë i njohur i së drejtës ndërkombëtare, që thotë “pacta sunt servanda” – ajo që është dakorduar, duhet të realizohet. Kjo është ajo që mund të them. Për këtë [Asociacionin] është rënë dakord shumë kohë para ardhjes sime, më 2013, më 2015. Nuk mund të sillemi sikurse kjo nuk ekziston. Pres negociata se si të realizohet kjo”, ka thënë ai. /Insajderi.com