Lajiq për Haradinajn: Ju po i frikësoheni humbjes së poenëve të fituar me taksa

Ministri i tregtisë i Serbisë Rasim Lajiq ka deklaruar se Serbia do të vazhdojë ta furnizojë popullatën serbe në Kosovë me artikuj themelorë ushqimorë.

Lajiq për Haradinajn: Ju po i frikësoheni humbjes së poenëve të fituar me taksa

“Sot në mëngjes na kanë lajmëruar se deficiti më i madh është me qumësht. Nuk ka pemë e perime nëpër supermarketë, por edhe rezervat e artikujve tjerë ngadalë po zbrazen”, ka thënë Lajiq për RTS, duke porositur se duhet shmangut që “problemi i shkaktuar me taksat e Prishtinës në prodhimet nga Serbia të përshkallëzohet në problem humanitar”.

Ai ka thënë se “pas aksionit të ROSU gjithnjë e më pak mallra nga Serbia ka shkuar në Kosovë” dhe ka shtuar se “për shkak të futjes së taksave të gjithë janë humbës, e më së shumti ekonomia e Serbisë”.

“Nga Serbia janë dërguar 228 milionë më pak mallra prej 21 nëntorit deri më 24 qershor. Çmimet e mallrave në Kosovë janë rritur për 5,3 për qind. Përveç kësaj, Kosova e ka rritur importin për 6,4 për qind përkundër paralajmërimeve se prodhuesit vendor do ta shfrytëzojnë futjen e taksave për ta forcuar prodhimin. Të vetmit të cilët kanë përfituar janë kontrabandistët dhe shtetet përreth”, ka thënë Lajiq.

Ai ka vlerësuar se çështja e taksave është bërë çështje e politikës së brendshme në Kosovë dhe se “fituesi i vetëm politik” është kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili i ka vendosur këto taksa.

“Ju po frikësoheni nga humbja e poenëve të fituar me vendosjen e taksave. Ju nuk doni t’i hiqni taksat, ndërsa flisni për zgjidhjen e statusit, kjo është e pamundur”, ka porositur Lajiq./Insajderi.com.