Lama reagon zyrtarisht pas shkarkimit të saj nga posti i Ambasadores në Itali

Lama reagon zyrtarisht pas shkarkimit të saj nga posti i Ambasadores në Itali

Ambasadorja në ikje e Kosovës në Itali, Alma Lama ka folur për herë të parë pas vendimit të presidentit të Kosovës për shkarkimin e saj nga pozita e Ambasadores së Kosovës në Itali.

Lama, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ajo ende nuk ka marrë motivet pse është shkarkuar nga pozita.

“Pas vendimit të Presidentit të Republikës të një jave më parë, për ndërprerjen e parakohshme te mandatit tim si Ambasadore e RKS-së në Itali, unë kam preferuar te hesht dhe të ndjek rrugët institucionale për të mësuar arsyet e këtij vendimi”, ka shkruar fillimisht ajo.

“Sapo kam marrë zyrtarisht dekretin nga MPJ-ja, kam kërkuar me shkrim nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Presidenti motivet e ndërprerjes së mandatit si dhe rishikimin e vendimit.
Po kështu kam takuar fizikisht ministrin Pacolli në Prishtine dhe kam kërkuar me gojë arsyetimin e vendimit. Deri tani nuk kam marrë as me shkrim dhe as me gojë ndonjë arsyetim”, ka thënë ajo.

Lama ka deklaruar se “mbi të gjitha ky vendim ka një impakt të jashtëzakonshëm familjar, pasi postet diplomatike janë poste familjare; në misione lëvizet së bashku me familjen. Si pasojë, e vendimit fëmijët e mi duhet të ndërpresin shkollimin dhe rrezikojnë humbjen e vitit shkollor”.

“Unë kam kërkuar nga Ministria të marrë në konsideratë këto rrethana deri në përfundimin e vitit shkollor. Shteti i Kosovës, ka detyrime ligjore ndaj shtetasve të tij, përfshirë mua dhe fëmijët e mi. Personalisht gjithë jetën kam luftuar për të drejtat e tjerëve, dhe është afër mendsh që do t’i kërkoj të drejtat e mia dhe të fëmijëve të mi në të gjitha instancat shtetërore”, ka thënë ajo. /Insajderi.com