Lamtumira nga distanca e Thaçit për shokët e tij

Përpjekjet e shumta për t’u bërë president i vendit po shpaguhen meqë Hashim Thaçi i ka krijuar vetës komoditetin që të përshëndesë nga larg ish-bashkëluftëtarët dhe partneret e tij politik të cilët po ndiqen nga drejtësia si të dyshuar për vepra të mëdha korrupsioni e krime lufte.

Lamtumira nga distanca e Thaçit për shokët e tij

Vetëm pak kohë pas dorëheqjes së ish-ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi doli me një deklaratë në Facebook, nga ku vlerësoi lart aktin e Aganit.

“Le të jetë ky shembull i sjelljes në pajtim me etikën institucionale, dhe i gatishmërisë për qeverisje të mirë”, ka thënë ai.

Agani, i cili kishte një marrëveshje koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës në kohën kur kjo udhëhiqej nga Thaçi, është vetëm një nga bashkëpunëtorët e tij të afërt që kohëve të fundit është duke u ndjekur nga drejtësia.

Dhe, në të gjitha rastet, Thaçi nuk ka hezituar të japë deklarata duke inkurajuar organet e drejtësisë me veprimet e tyre ndaj bashkëpunëtorëve të tij, edhe pse funksioni i presidentit nuk e detyron atë të japë deklaratë sa herë që drejtësia kryen punën e vet.

Ai e kishte “përshëndetur” e  mbështetur edhe aksionin për arrestimin e Azem Sylës, ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, ku Hashim Thaçi ka qenë Drejtor Politik, ndërsa ka kërkuar nga bashkëluftëtarët e tij që t’i dorëzohen një gjykate speciale e krijuar për të ndjekur pjesëtarë të UCK-së të dyshuar për krime lufte dhe vrasje politike të pasluftës.

Gjarpri – që është nofka e tij gjatë luftës –  u zgjodh president i vendit më 26 shkurt të këtij viti me ndihmën edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, rivalit kryesor të Thaçit para se të bëhej president.

Marrëveshja me LDK-në i dha atij mundësi të qëndrojë në pushtet në kohën kur ai u ballafaqua me katër parti opozitare që u bashkuan për ta larguar atë.  Një nga to ishte edhe LDK e Isa Mustafës.

Atë kohë, përfshirja e Thaçit dhe PDK-së në qeveri shihej si e domosdoshme kur dihej fakti se në Kuvendin e Kosovës kërkohej shumicë e fortë për të kaluar ligje të vështira, siç është ai për krijimin e Gjykatës Speciale.

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë se tashmë kur Thaçi është bërë president i vendit, ai po e luan rolin e “luftëtarit të denjë” kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ndërkohë që pikërisht gjatë qeverisjes së tij këto fenomene kanë lulëzuar. Një hipokrizi e llojit të vet”, ka thënë ai.

“Deklaratat e presidentit Thaçi janë më tepër farsë. Nuk po them se ai nuk duhet të reagojë pas arrestimeve, por janë pikërisht njerëzit si Azem Syla e Ferid Agani me të cilët ai ka bashkëpunuar një kohë të gjatë. Natyrisht, në pozitën e presidentit Thaçi ndihet komod, por këto veprime të organeve të drejtësisë që po ndodhin tash janë pikërisht rezultat i trashëgimisë politike dhe qeverisëse të tij për vite më radhë”, ka shtuar Mushkolaj.

Në fakt, vetë Thaçi nuk e ka të sigurt që nuk do të jetë njëri nga të akuzuarit për krime lufte, marrë parasysh se emri i tij është përmendur disa herë në raportin e deputetit në Parlamentin e Evropës, Dick Martty.

Raporti i Martty-t kishte nxitur një hetim të gjerë që për pasojë ka krijimin e gjykatës speciale.

Kryeprokurori i Task Forcës Speciale për hetimin e pretendimeve të Martty-t, David Schwendiman, pati thënë në një bisedë me Insajderin se presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka imunitet nga ndjekja penale.

“Hetimi i ndërmarrë nga Task Forca Speciale vazhdon. Ky hetim nuk ndikohet nga votimi i së premtes”, kishte  thënë kryeprokurori Schwendiman vetëm pak ditë pas zgjedhjes së Thaçit president.

“Sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk ka imunitet për ata që kryejnë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Kjo është bërë e qartë edhe në ligjin e Dhomave Speciale dhe Zyrës së Prokurorisë Speciale”, ka thënë ai.

Me zgjedhjen e tij si president, Thaçi ka rrumbullakuar dy dekada si figurë e rëndësishme në politikën kosovare.  Por, ai është zotuar se do të kërkojë edhe një mandat tjetër pesë vjeçar në postin e presidentin, vetëm se herën e ardhshme synon të zgjidhet direkt nga vota e popullit./Insajderi.com