Latifi kundërshton masat e qeverisë, thotë se sot parandaloi një protestë të mundshme të fermerëve

Latifi kundërshton masat e qeverisë, thotë se sot parandaloi një protestë të mundshme të fermerëve

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi po kundërshton masat e reja të marra nga niveli nacional lidhur me kufizimin e lëvizjes.

Ai thotë fermerët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre, gjë për të cilën thotë se komuna do t’u japë lejen.

Latifi thotë ministri i Shëndetësisë nuk është konsultuar me kryetarët e komunave për këto masa dhe se të njëjtat janë arbitrare. Madje, shton se sot ka parandaluar një protestë të mundshme të fermerëve në komunën që ai drejton, meqë siç tha, janë të indinjuar me veprimet dhe vendimet e qeverisë.

Kryetari i Rahovecit, në një intervistë për KosovaPress, thotë se do të presin disa orë për t’u sqaruar në tërësi çka përmbajnë masat e reja, dhe cilat janë rrethanat lehtësuese për fermerët dhe bujqit. Në të kundërtën, thotë se insiston për një zgjidhje konkrete duke u lejuar qasja fermerëve në tokat e tyre.

“I dimë nevojat e interesat e tyre dhe natyrisht ne mund të u japim leje, duhet t’u japim leje, ta njoftojmë Policinë e Kosovës. Nuk mund të lejojmë që të aplikojnë masa të aplikueshme në një komunë që është kryesisht bujqësore, që është krenaria e Republikës së Kosovës, që dikush të merr vendime pa u konsultuar, pa i marrë parasysh shqetësimet, kërkesat, nevojat e interesat e fermerëve të shprehura edhe përmes kryetarit të komunës. Besoni sot ne jemi duke bërë përpjekje që t’i qetësojmë fermerët, sepse ata duan zgjidhje. Nëse nuk ka zgjidhje atëherë jemi të detyruar që edhe njëherë të mblidhemi urgjentisht dhe ta rishikojmë, ta shqyrtojmë se a duhet të respektohen vërtetë këto masa të çuditshme, të pa konsultuara fare me kryetarin e komunës”, tha ai.

Duke theksuar se nuk pajtohen me kufizimin që e ka vendosur qeveria, Latifi thotë se ministrat duhet të adresojnë me urgjencë problemet e fermerëve dhe bujqve.

“Presim që ministri i Shëndetësisë në detyrë zoti Vitia, ministrja e MAPL-së zonja Emilia Rexhepi dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa ta adresojnë me urgjencë këtë çështje dhe të kemi një zgjidhje konkrete, një model të përshtatshëm ku fermerët dhe bujqit tanë mund t’i kryejnë punët e tyre pranverore. Edhe një herë po e përsëris ne nuk mund të pajtohemi me masa shtesë, me vendime arbitrare pa u konsultuar me organet e zgjedhura sepse edhe ne jemi në vijën e parë të zjarrit”, tha ai.

Kryetari Latifi u kërkon fermerëve që të durojnë edhe disa orë duke theksuar se nuk do t’u kërkojë atyre që të mos punojnë tokat e tyre, por që këtë ta bëjnë bazuar në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“U kërkoj fermerëve të besojnë në përkushtimin tonë, ndërkaq zotit Vitia i cili deri në këtë minutë që po flasim as një telefonatë nuk e ka marrë mundimin dhe guximin që të ma bëjë mua si kryetar komune dhe nuk kemi nevojë të komunikojmë ne përmes asistentëve të kabinetit të ministrit, por kemi nevojë të konsultohemi sidomos kur bëhet fjalë për tema kaq të ndjeshme siç është bujqësia në Rahovec, sepse ne sot jemi detyruar të shpjegojmë, të arsyetojmë, të ndalim një protestë potenciale që mund të ndodh fillimisht në komunën tonë e mund të përhapet edhe në komuna tjera bujqësore”, thotë Latifi.

Latifi thotë se masat e prezantuara mbrëmë nga Qeveria e Kosovës lidhur me kufizimin e lëvizjes, si masë mbrojtëse nga përhapja e Covid-19, janë befasi për komunat meqë janë marrë pas asnjë konsultim paraprak.

Ai thotë se janë në presion të paimagjinueshëm nga fermerët e komunës, të cilët sot ia kanë mësyrë objektit të qeverisë lokale në Rahovec për të kërkuar sqarime rreth këtyre masave.

Qeveria e Kosovës mbrëmë prezantoi masat e reja që do të aplikohen nga 15 prilli, për të menaxhuar situatën e krijuar nga koronavirusi.

Aty u tha se do të ketë sqarime për secilin sektor rreth të drejtës së lëvizjes dhe ushtrimit të veprimtarisë, ndërkohë u bë e ditur se qytetarët do të mund të lëvizin vetëm 90 minuta në ditë me orar të caktuar.