Latifi: Të mbijetuarit e aksidentit pritet të kthehen sot ose nesër në Kosovë

Latifi: Të mbijetuarit e aksidentit pritet të kthehen sot ose nesër në Kosovë

Të mbijetuarit e aksidentit tragjik që ndodhi të dielën ku mbetën të vdekur 10 persona dhe u lënduan mbi 40 të tjerë, do të kthehen në Kosovë gjatë së hënës apo të martës, transmeton Insajderi.

Kështu ka njoftuar kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili tha se ka biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për t’i rikthyer edhe viktimat sa më shpejtë në Kosovë.

“Jam takuar me Ministrin Sveçla dhe Vitia dhe jemi duke biseduar për t’i kthyer viktimat. Pjesa më e madhe e të mbijetuarve do të kthehen në Kosovë, ndoshta do të ketë prej tyre që kanë lëndime më të larta që do kthehen në Gjermani për shkak të sigurimit shëndetësor”.

“Pjesa më e madhe e të mbijetuarve do të kthehen në mënyrë të organizuar në Kosovë, për kohën se kur nuk e di saktë, ndoshta sot ose nesër, kurse për viktimat jemi duke shikuar një mënyrë për t’i rikthyer sa më shpejtë”, deklaroi ai në Info Magazinë të Klan Kosovës.

Latifi shtoi se gjendja e të lënduarve është duke u përmirësuar.

“Gjendja e tyre është duke u përmirësuar, 26 pacientë janë liruar sot, ndërsa edhe 13 ose 15 të tjerë që kanë mbetur, gjendja e tyre është stabile dhe priten të lirohen së shpejti”.

Një aksident i autobusit me targa të Kosovës në rrugën në afërsi të Sllavonski Brod të Kroacisë shkaktoi vdekjen e dhjetë kosovarëve.

Autobusi i linjës Frankfurt-Prishtinë ka dalë jashtë rrugës dhe është rrokullisur, duke shkaktuar viktima dhe lëndime të dhjetëra udhëtarëve./Insajderi.com