LDK ankohet në PZAP për rezultatin në Istog – jep prova se votat me postë janë manipuluar

LDK ankohet në PZAP për rezultatin në Istog – jep prova se votat me postë janë manipuluar

Lidhja Demokratike e Kosovës pretendon se votimi me postë në Istog, që përmbysi rezultatin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në këtë komunë, është proces i pavlefshëm. Sipas LDK-së, votimi me postë në Istog është bërë duke ua keqpërdorur të dhënat personale qytetarëve.

Për këtë, LDK ka dërguar sot ankesë zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), përmes së cilës shpalos provat, të cilat, LDK thotë se e bëjnë të pavlefshëm prcoesin e votimit me postë në Istog.

Insajderi ka siguruar këtë ankesë të LDK-së, të paraqitur pranë PZAP, në të cilën thuhet se në këtë proces ka pasur edhe vota nga njerëz të vdekur, raporton Insajderi.

“Kishte votim në emër të qytetarëve të vdekur; votim në emër të qytetarëve (kryesisht pjestarë të komuniteteve pakicë) që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, por që në emër të të cilëve është votuar, kryesisht, nga Mali i Zi dhe Austria”, thuhet në ankesën e LDK-së, të paraqitur në PZAP.

LDK shprehet se për të votuar përmes postës, qytetarëve të Istogut u janë vjedhur të dhënat personale dhe u janë keqpërdorur ato.

“Qytetarëve të shumtë i është vjedhur identiteti, duke ua keqpërdorur të dhënat personale dhe duke aplikuar dhe votuar në emër të tyre, ndërsa të njëjtit janë banorë të përhershëm të Istogut, të cilët, meqë janë larguar nga Lista Përfundimtare e Votuesve në Komunën e Istogut, janë detyruar që personalisht të votojnë me kusht në vendvotim”, thuhet në ankesën e LDK-së, që e ka siguruar Insajderi.

Po ashtu, LDK thotë se në këtë komunë ka pasur “votim në emër të qytetarëve (kryesisht pjestarë të komuniteteve pakicë) që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, por që në emër të të cilëve është votuar, kryesisht, nga Mali i Zi dhe Austria.”

Kështu, gjatë analizimit të përgjithshëm të këtij procesi, LDK thotë se ka ardhur në përfundim se ka pasur së paku tri mënyra/metoda përmes të cilave është manipuluar procesi i votimit përmes postës e që është bërë “kryesisht në emër të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, qytetarëve të vdekur dhe qytetarëve banorë të Istogut.”

Partia e Isa Mustafës ka kërkuar nga PZAP që ta pranojë ankesën e paraqitur, dhe të anulojë procesin e numërimit të votave me kusht dhe me postë në Komunën e Istogut. /Insajderi.com

Më poshtë mund të gjeni provat e paraqitura nga LDK rreth procesit të votimit me postë në Komunën e Istogut: