LDK dhe VV këmbëngulin në programet e tyre – nesër vendoset gjithçka

LDK dhe VV këmbëngulin në programet e tyre – nesër vendoset gjithçka

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në detyrë, nga LDK-ja, Arban Abrashi ka thënë se të enjten (nesër) do të vendoset gjithçka nëse lista e koalicionit LDK-AKR dhe disa parti të tjera do të jetë një listë në të cilën do të futet edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ani pse nuk e ka thënë në mënyrë specifike nëse ka ndonjë takim mes këtyre dy partive për të kandiduar me një listë të përbashkët për kandidat për deputet, Abrashi ka thënë për KTV-në se LDK-ja është për një listë të hapur e cila do të garantonte fitoren.

“Lista është duke u punuar. Nesër në mbledhjen e Këshillit Drejtues do të vendoset përfundimisht ani pse kemi kohë deri të premten. Megjithatë ne jemi për një listë të hapur e cila do të garantonte fitoren”, ka thënë Abrashi për KTV-në.

Ai ka thënë se varet nga Lëvizja Vetëvendosje nëse do të hy në listën e LDK-së dhe se programi i partisë së drejtuar nga Isa Mustafa dhe partive të tjera në koalicion është një program i duhur që garanton zhvillim të vendit.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje më herët përmes një komunikate ka pohuar se kjo parti insiston në programin e tyre.

Më herët Lëvizja Vetëvendosje doli me një komunikatë për takimin e parë me koalicionin LDK-AKR. E lanë të hapur mundësinë e kandidimit me një listë të përbashkët me LDK-AKR.

“Të gjithë ata që janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj beteje për ndryshim rrënjësor jemi të gatshëm t’i presim në takim”, thuhet në komunikatë.

Aty tregohej sesi koalicioni LDK-AKR i kanë ftuar në takime.

“Gjatë ditës së sotme kemi pranuar dhjetëra kërkesa për takim nga koalicioni LDK/AKR. Edhe pse jemi në orët e fundit para dorëzimit të listave, kryesia e Lëvizjes vendosi që t’i pranojë në takim”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com