fbpx

LDK dhe VV të bashkuar për rrëzimin e qeverisë – a do të kërkojnë ndihmë tek Lista Serbe?  

LDK dhe VV të bashkuar për rrëzimin e qeverisë – a do të kërkojnë ndihmë tek Lista Serbe?  

Këtë javë pritet takimi i liderëve të opozitës, kështu për një mocion votëbesimi për qeverisjen aktuale. Opozita janë në kërkim të votave të pozitës, ndërkohë LDK-ja ende nuk ka vendim nëse do i kërkojnë edhe votat e Listës Serbe. Këtë javë pritet të bëhet mocioni, por jo edhe shkarkimi i Qeverisë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani e ka rikonfirmuar për KP takimin e liderëve të partive opozitare brenda kësaj jave, qëllimi i të cilit tha se është intensifikimi i bashkëpunimit në mes tyre dhe koordinimin rreth përmbajtjes së mocionit për rrëzim të qeverisjes aktuale.

Osmani duke mos dashur të flas për emrat e deputetëve nga mazhoranca të cilët i kanë targetuar për t’u marrë nënshkrimet për rrëzim të koalicionit PAN, tha se me këta deputetë ka kohë që kanë bashkëpunim.

Ajo thotë se finalizimi i këtyre bashkëpunimeve me deputetët e pozitës do të mund të bëhet vetëm pas përfundimit të takimit të paralajmëruar të tre liderëve të partive opozitare.

“Gjatë kësaj jave do të ketë takime në nivel të liderëve të këtyre partive politike që janë për momentin në opozitë për të koordinuar kohën e vendosjes së mocionit në votim, dhe po ashtu për të parë se si mund të koordinohemi edhe me deputetët tjerë individual që për momentin janë në pushtet sepse në aspektin e numrave duhen së paku edhe katër pesë deputet të tjerë të votojnë në mënyrë që mocioni të jetë i suksesshëm , pra për momentin ka intensifikim bashkëpunimi për të koordinuar kohën dhe për të koordinuar përmbajtjen e mocionit sepse ai duhet të arsyetohet proceduralisht… Ka deputet edhe brenda koalicioni qeverisës që nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po qeverisë koalicioni aktual dhe natyrisht që bashkëpunimi me ta është duke vazhduar që një kohë”, thotë Osmani.

Deputetja e partisë opozitare më të madhe në vend, Vjosa Osmani nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit për rrëzim të qeverisë edhe me deputetët e Listës Serbe, teksa u shpreh se ky vendim do të merret në ditët në vijim.

“Ky është një vendim që do merret në ditët në vijim edhe kryesia e LDK-së do të mbahet gjatë kësaj jave, pastaj edhe organet tjera të partisë sonë dhe do të diskutohet kjo, sepse akoma nuk ka ndonjë vendim nga organet partiake lidhur me këtë“, shprehet ajo.

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca thotë se tani është koha e mocionit për rrëzim të koalicionit qeverisës PAN, dhe se kjo javë do jetë vendimtare për përpilimin e tekstit të mocionit, por jo edhe për rrëzim të koalicionit qeverisës.

Konjufca pranon se opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Qeverisë, por thotë se ato do t’i kërkojnë edhe brenda koalicionit qeverisës.

“Krejt ajo që mund të konkludojmë tash për tash që kemi zotime nga subjektet opozitare sa i përket rrëzimi të Qeverisë, por jo edhe të deputetëve të mazhorancës, kjo nuk do të thotë që nuk do përpiqemi në ditët në vijim që të vijmë deri edhe tek nënshkrimet e ndonjë deputeti i cili ka qenë kritik ta zëmë ndaj qeverisjes së deritanishme….07’21 Sa i përket tekstit dhe nënshkrimeve të opozitës unë mund të them që është vendimtare, por sa i përket rrëzimit të qeverisë nuk mund të konkludoj që mund të jetë javë vendimtare”, thotë Konjufca.

Më kritik ndaj dy partive më të mëdha opozitare është deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu i cili thotë se përkundër që nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë Haradinaj i kanë dorëzuar në korrik të vitit të kaluar, deri më tani ka munguar bashkëpunimi opozitar.

Sipas tij, deri tash LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur vetëm akuza ndaj PSD-së dhe jo bashkërendim, pa të cilin, siç thotë ai, nuk mund të ndodh rrëzimi i kësaj qeverie.

“Fatkeqësisht në këtë një vit ne kemi parë vetëm një qasje nga subjektet tjera opozitare ajo ka qenë akuzë ndaj PSD-së, ne e mirëpresim nismën e zotëri Mustafa te shohim edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate zotëri Shpend Ahmeti është shprehur tashmë se mirëpresim iniciativën, por në fakt e vërteta është kjo që ka një vit që ne i kemi dhënë nënshkrimet dhe iu kemi thënë se rruga përpara është bashkërendim opozitar i të gjitha grupeve opozitare dhe me një strategji të përbashkët mund edhe ta rrëzojmë por duke akuzuar një subjekt opozitare, dhe duke mos marr fare asnjë lloj iniciative nuk rrëzohet asnjë qeveri e lëre më një e dobët si kjo”, thotë Sejdiu.