LDK e VV me rezolutë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

LDK e VV me rezolutë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Partitë opozitare kanë propozuar sot në Kuvendin e Kosovës një rezolutë, ku kërkohet dorëheqja e Qeverisë Haradinaj.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po mbahet për dështimet e politikës së jashtme, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se në fund të debatit do të kërkojnë miratimin e rezolutës për rrëzim të qeverisë.

“Propozojmë që në fund të debatit të miratohet kjo rezolutë me një pikë të vetme, Kuvendi pas debatit parlamentar të LDK dhe VV miraton këtë rezolute , pika 1 me qëllim të ndalimit çdo përpjekjeje që konteston shtetësinë, subjektivitetin ndërkombëtarë dhe integritetin territorial si dhe qeveria e Kosovës të tërhiqet për ti hape rrugë institucioneve të reja”, ka thënë Osmani, shkruan Insajderi.

Kjo është rezoluta e propozuar nga LDK e VV:

Me qëllim të ndërprerjes të çdo përpjekje që konteston shtetësinë, subjektivitetin ndërkombëtarë dhe integritetin territorial të Republikës të Kosovës, Qeveria e Republikës të Kosovës të dorë-hiqet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja, të cilat duhet ta konsolidojnë dhe ta forcojnë shtetësinë e Republikës të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në përputhje me orientimet e saj gjeopolitike për integrime euro-atlantike.

Ndryshe Seanca e Kuvendit ka filluar në orën 10:00, në seancë nuk po merr pjesë as Ministri i Punëve të Jashtme e as deputetët e Listës Serbe./Insajderi.com