LDK ende se ka gjetur kandidatin për kryeministër

LDK ende se ka gjetur kandidatin për kryeministër

Anëtari i kryesisë së LDK-së Arban Abrashi nuk ka bërë të ditur se kush do të jetë kandidati i LDK-së për Kryeministër, pas tërheqjes nga gara të kreut të saj Isa Mustafa.

Sipas tij, kandidati në fjalë duhet të jetë i dëshmuar në qeverisje, dhe për të do të vendosë struktura e LDK-së dhe këshilli drejtues i saj.

“Patjetër që do të jetë i dëshmuar në qeverisje, dhe që është i pranueshëm nga struktura e LDK-së”, tha Abrashi duke folur për kandidatin e LDK-së, por duke mos zbuluar me emër.

“Kandidati i LDK-së do të jetë edhe fitues i zgjedhjeve”, tha tutje i bindur në “Info Magazine”

Ai nuk ka komentuar gjatë nëse personi në fjalë është Agim Veliu apo Lutfi Haziri, por tha se të dy plotësojnë kriteret. Por, për dallim prej dy emrave të parë, Abrashi ka lenë të kuptohet se Vjosa Osmani nuk do të jetë kandidatja e LDK-së për shefe të ekzekutivit në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Ka përparësitë dhe mangësitë”, tha ai nder tjera për Osmanin në Klan Kosova.

Ai tregoi se kandidimi i Lumir Abdexhikut për kryeministër, në rast e ky i fundit i bashkohet LDK-së, tha se nuk është mbështetur sa duhet, pasi duan që LDK-ja në këto zgjedhje të garojë me dikë që është pjesë e partisë, e jo me prurje të reja.

Ndryshe, kosovarët do t’u drejtohen të dielën e 11 qershorit 2017 kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi ato u shpallën javën e kaluar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, menjëherë pas shkarkimit të Qeverisë “Mustafa” me anë të një mocioni të votuar në Kuvend të iniciuar nga opozita dhe përkrahur nga PDK-ja.

Kryeministri i shkarkuar, Isa Mustafa, të shtunën në Istog ka treguar se në zgjedhje nuk do të garojë serish për kryeministër, duke i hapur rrugë një tjetër anëtari të LDK-së për tu kandiduar nga drejtuesit tjerë të partisë. /GazetaExpress/.