LDK ia mbyll derën Vetëvendosjes: Ne e kemi kandidaten për kryeministre

LDK ia mbyll derën Vetëvendosjes: Ne e kemi kandidaten për kryeministre

Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka deklaruar se nuk do të diskutojnë me Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me kandidatin për kryeministër, pasi siç ka thënë ai, “LDK e ka kandidaten e saj”.

Në këtë mënyrë, LDK dhe Vetëvendosje vazhdojnë të mos pajtohen për këtë pikë të marrëveshjes potenciale – e cila është pozita e kandidatit për kryeministër.

“Ne e kemi kandidaten dhe për këtë çështje nuk do të diskutojmë. Pra me Vetëvendosjen do të diskutojmë për çështje tjera si dialogu, nuk do të bisedojmë me VV për kufijtë sepse edhe VV është deklaruar për kufijtë ekzistues të Kosovës, qëndrim pra i njëjtë me tonin në LDK”, tha Shala në RTK.

Sipas tij edhe qytetarët e dinë se Kosova është e izoluar për shkak të sjelljes së deritashme të institucioneve.

Shala tutje ka deklaruar se me VV si parti opozitare kanë bashkëpunuar mirë dhe kane qenë opozitë e strukturuara mirë dhe ka krijuar një raport të mirëbesimit.

“Ne ende po tentojmë një marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet, nuk është proces ende i mbyllur”.

“Në dy vitet e fundit LDK dhe VV kanë bashkëpunuar mirë si parti opozitare. Ishim një opozitë e strukturuar mirë. Gjatë punës kemi arritur një nivel relativisht të mirë të bashkëpunimit. Ne po komunikojmë për të vazhduar edhe në të ardhmen këtë bashkëpunim. Vjosa është kandidate e jona për kryeministre. Dhe do të jetë kryeministre e ardhshme , si kandidate e partisë më të madhe dhe partisë që do të dalë fituese nga këto zgjedhje”, tha ai.

Ai bëri me dije se nuk ka pasur ambicie qoftë për të qenë në krye të LDK-së, ose për të qenë edhe kandidat për kryeministër. “Nuk e mendoj veten si politikan të karrierës e aq më pak të kandidatit për kryeministër”, tha Shala.

“Ka pasur takime por vendim për koalicionin mes LDK dhe VV nuk ka ende. Ne do të donim të garojmë si parti e vetme. Kryeministri duhet të jetë nga radhët tina”, tha Shala.