LDK-ja nuk tërhiqet nga marrja e kompensimeve për udhëtimet

LDK-ja nuk tërhiqet nga marrja e kompensimeve për udhëtimet

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se marrja e kompensimeve për udhëtimet është çështje individuale e deputetëve dhe ata si subjekt politik nuk do të veprojnë ashtu siç ka bërë Lëvizja Vetëvendosje e cila për shkak të presionit është detyruar të tërhiqet nga marrja e kompensimeve.

Shefi i grupit të LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar për Shqip.com se deputetët kompensohen në bazë të një vendimi dhe se është në dorën e tyre nëse ata dëshirojnë të heqin dorë nga këto përfitime por si subjekt politik nuk do marrin qëndrim.

“Është çështje individuale e deputetëve. Duhet të flisni me deputet individualisht qysh e arsyetojnë këtë punë. Nuk është çështje kolektive sepse këtu nuk ka fajtor kolektiv  dhe as përfitues kolektiv. Është çështje individuale dhe nuk kam nevojë të jep ndonjë vlerësim sepse është çështje individuale e administrative”, ka thënë Gashi.

Ndryshe deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët udhëtojnë për të marr pjesë në seancat dhe komisionet funksionale në Prishtinë kompensohen me mjete financiare për shpenzimet e karburantit. Mirëpo praktika e tillë e kompensimit po kritikohet nga qytetarët të cilët e shohin të paarsyeshme marrjen e këtyre kompensimeve ngase deputetët kanë paga të larta.

Shqip.com i ka dërguar pyetje edhe shefit të grupit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri nëse ata konsiderojnë se duhet të hiqet dorë nga kjo praktikë mirëpo ende nuk ka kthyer një përgjigje me arsyetimin se është në takim.

Ndryshe vendimi mbi kompensimin e deputetëve daton nga 10 tetori 2011 dhe parashihet që të kompensohen deputetët të cilët marrin pjesë në punimet e seancës dhe komisionet e caktuara ku deri në 30 kilometra udhëtim kompensohen me 10 euro pastaj deri në 60 kilometra me 20 euro si dhe mbi 60 kilometra me 30./Insajderi.com