LDK me probleme edhe në Kodrën e Trimave – Anulohet Kuvendi Zgjedhor i nëndegës së tretë

LDK me probleme edhe në Kodrën e Trimave – Anulohet Kuvendi Zgjedhor i nëndegës së tretë

Sot Kuvendi Zgjedhor i LDK-së ka tentuar t’i mbajë zgjedhjet në nëndegën e tretë në Kodër të Trimave – Vranjevc, shkruan Insajderi.

Këtë kuvend ata kanë tentuar ta organizojnë në mënyrë të fshehtë. Së paku kështu për Insajderin ka deklaruar Kushtrim Vitia, kandidat për kryetar të kësaj nëndege.

“Ne kemi shkuar si banorë, lagjja më ka caktuar mua si kundërkandidatë dhe në momentin që ata e kanë parë që ne jemi shumicë, kanë marrë vendim të ndërpritet ky kuvend me arsyetimin se nuk ka organizim të mirë”, ka thënë Vitia.

Kundërkandidati i tij ishte Ramë Rama, i cili sipas Vitisë, për arsye që nuk i ka votat e mjaftueshme për marrjen e detyrës, ka bërë trysni që mbledhja të shtyhet për një herë tjetër.

“Ata(përkrahësit e Ramë Ramës) u kanë bërë ftesa vetëm njerëzve të vet, që i kanë pasur votues të sigurt”, ka thënë kundërkandidati Kushtrim Vitia.

Vitia ka thënë për Insajderin se Ramë Rama nuk është banorë i kësaj lagjeje dhe se organizimi i fshehtë i zgjedhjes së kryetarit të nëndegës është jashtëligjor dhe jashtë çdo rregulloreje të partisë.

Në videot e siguruar nga Insajderi shihen teksa diskutojnë për shtyrjen e mbledhjes.

“Përgatituni mirë, një herë tjetër mas bajrami shyqyr Zotit gja për ngut nuk e kemi”, dëgjohet teksa thotë një nga organizatorët në këtë nëndegë.

Në komisionin e këtij kuvendi nga LDK ishte pjesëmarrës Halim Halimi, Qamil Fejzullahu dhe Shefqet Osmani./Insajderi