fbpx

LDK merr mbështetje nga Vuçiq për mos përkrahjen e taksës prej 100 përqind

LDK merr mbështetje nga Vuçiq për mos përkrahjen e taksës prej 100 përqind

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë mirë që është deklaruar pro heqjes së taksës kundër Serbisë. Ka thënë se Partia e Isa Mustafës ka kërkuar të dëgjohet këshilla e Presidentit Donald Trump për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake.

“Ne jemi duke pritur për të parë nëse shqiptarët do të marrin një vendim. Mendoj se është shumë më lehtë sot kur LDK doli me një deklaratë të tillë se nuk është mirë që Prishtina të mos e dëgjojë këshillën e Trumpit”, ka thënë Vuçiq, në Beograd.

Isa Mustafa, në një deklaratë për media, kishte thënë se taksa kundër Serbisë është bërë më shumë për konsum të brendshëm se sa për të arritur efekte. Ka kërkuar të dëgjohen këshillat e amerikanëve, meqë, SHBA e ka çliruar Kosovën.

Ndërkohë, edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se mund të hiqet taksa derisa ishte takuar me Ambasadorin e SHBA-së në Berlin, në një takim të mbajtur sekret.

Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do të heqë taksën derisa Serbia të njohë Republikën e Kosovës.

Kërkesë për heqjen e kësaj takse ka pasur edhe BE-ja.

Në fund të muajit nëntor ishte vendosur taksa 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.