LDK për 100 ditët e qeverisjes Kurti: Të gjitha kauzat e VV-së ishin për përfitime elektorale

LDK për 100 ditët e qeverisjes Kurti: Të gjitha kauzat e VV-së ishin për përfitime elektorale

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim dhe mungesë të dijes në udhëheqje në prag të 100-ditëshit, njofton Insajderi.

Kjo parti e konsideron se janë mohuar të gjitha premtimet që janë dhënë gjatë fushatës dhe kanë ndodhur skandale të njëpasnjëshme diplomatike.

Sipas LDK-së është joserioze dhe qesharake “insistimi i kryeministrit Kurti për njohje në takimin me presidentin serb në Bruksel”.

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija ka thënë se në rreth 100 ditë qeverisje u panë se gjitha kauzat e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë vetëm për përftime elektorale.

“Sa i përket këtyre 100 ditëve kemi parë një menaxhim jo të mirë të shëndetësisë, kemi parë një qasje jo të mirë diplomatike, kanë qenë skandalet e njëpasnjëshme në diplomacinë kosovare, ka pasur një ndryshim të fjalëve, jo CEFTA, jo premtimeve. Në fakt nuk e di a është realizuar një prej panumërt premtimeve të cilat zotëri Kurti kanë fituar këto zgjedhje. Prandaj këto 100 ditë janë karakterizuar me mohimin e të gjithë atyre premtimeve që janë dhënë, jo vetëm gjatë fushatës, por gjatë shumë viteve si parti në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu edhe një mungesë e dijës së menaxhimit, që shumë kush e ka quajtur qeveri e praktikantëve”, thotë Sahatqija.

Sipas saj, sjellja e kryeministrit Kurti është më shumë për të mos vazhduar dialogun.

“Sjellja e kryeministrit më tepër ka qenë për mos vazhdim të dialogut sesa për vazhdim të dialogut. Ne dëgjuam edhe prej presidentit Vuçiq, shpresojmë të mos ketë qenë ashtu dhe nuk ka degradu në atë nivel se a do ta njeh Kosovën. Nuk e di, ndoshta ka pritur që në tentimin e tetë, apo të nëntë mos po i ndërron mendja presidentit Vuçiq që është qesharake dhe totalisht jo serioze. Në anën tjetër, kjo metodë përdorët kur dëshiron me arrit efektin e kundërt. Kur dëshiron mos me njohë, atëherë e pyet a do ta njeh që kundërshtari yti të forcon edhe më tepër pozicionin kundërshtues ndaj teje. Nëse kjo ka qenë, atëherë është edhe një pikë tjetër që tregon jo seriozitetin dhe mos gatishmërinë e marrjes së përgjegjësisë, por në fakt vetëm ikje prej përgjegjësisë”, thotë ajo, raporton KP.

Anëtarja e kryesisë së LDK-së, thotë se kryeministri Kurti duhet të jetë më serioz dhe të ketë një koordinim më të fuqishëm me aleatët ndërkombëtar.

“Në pozitën e të parit të qeverisë, do të duhej të jetë më serioz dhe të ketë një koordinim më të fuqishëm përmes ambasadës me ShBA-në sepse ne e dimë historikisht se pas përfshirjen e ShBA-së, asnjë marrëveshje nuk ka qenë në favor të Kosovës. ShBA janë partneri ynë strategjik, më i rëndësishmi, garracë që Kosova të ketë një përfundim të dialogut dhe marrëveshje finale në favor. Kjo sjellje e pakoordinuar me administratën e ShBA-së nuk i bënë nder dhe nuk i ndihmon Kosovës”, thekson Sahatqija. /Insajderi.com