LDK përmend emërimin e dy ambasadorëve, por ka frikë të tregojë se për kë bëhet fjalë

LDK përmend emërimin e dy ambasadorëve, por ka frikë të tregojë se për kë bëhet fjalë

Thirret si parti opozitare, dhe shpesh’herë duke u krenuar si të zëshëm ndaj qeverisë Haradinaj, por Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka guxim që të flasë me emra për emërimet politike, që po bëhen nga qeveria e tanishme, shkruan Insajderi.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga LDK, flitet gjerë e gjatë për dy emërime në postin e ambasadorëve, që qeveria Haradinaj i ka bërë gjatë ditës sotme. Por, në asnjë vend nuk përmenden emrat e tyre.

“Partitë në pushtet po vazhdojnë të shkelin ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbim Diplomatik duke emëruar për ambasadorë militantë politik e partiak dhe duke injoruar kërkesën ligjore që mos të tejkalohet kuota prej 50% në emërime politike. Sot, nënkryetarja e Komisionit nga rradhët e AAK-së ka thirre mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme për intervistimin edhe të dy kandidatëve për ambasadaorë politikë të propozuar nga MPJ”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Tutje në këtë reagim, thuhet se aëntarët e GP LDK, kanë lëshuar mbledhjen e komisionit për Punë të Jashtme, duke e bojkotuar atë. Edhe pse e quajnë si vendim të jashtëligjshëm emërimin e dy personave, si ambasadorë, prapë hezitojnë që t’i përmendin emrat e tyre.

“Grupi Parlamentar i Lidhjes Dermokratike e Kosovës e konsideron këtë proces të paligjshëm dhe për këtë arsye Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, deputetja Vjosa Osmani dhe anëtarja e këtij komisioni deputetja Doruntinë Maloku, kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë mbledhje dhe të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore”, thotë komunikata e LDK-së.

Ata vazhdojnë që të flasin për shkeljet e ligjit, për emërimet politike në poste diplomatike.

Në komunikatën e LDK-së, përmendet edhe presidenti, duke thënë se edhe këto dy emërime janë nënshtrim ndaj presidentit të vendit.

“Neni 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës kërkon që së paku 50% të të emëruarve si shefa misionesh të jenë Ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politik. Meqenëse përqindja e të emëuarve politikë në Ambasadat e Kosovës anekënd botës tashmë është tejkaluar dhe arrin në rreth dy të tretat , gjë të ciën e ka konfirmuar edhe vet Ministri i Jashtëm, z. Pacolli, përfaqësueset e LDK-së në Komision, kanë propozuar që mos të ketë emërime të reja politike derisa të rregullohet kuota prej 50/50, e kërkuar me ligj. Ashtu si edhe në të kaluarën, Grupi Parlamentar i LDK-së konsideron se nënshkrimi i rekomandimeve të tilla nga ana e Presidentit të Kosovës, bie ndesh me ligjin dhe tejkalon kompetencat e tij kushtetuese”, përfundon komunikata e Lidhjes Demokratike të Kosovës./Insajderi.com