LDK: Thaçi po bënë bisedime të pa autorizuara me Serbinë

LDK: Thaçi po bënë bisedime të pa autorizuara me Serbinë

Lidhja Demokratike e Kosovës i reagon ashpër Presidentit Hashim Thaçi, për takimin e tij për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që u zhvillua sot në nivel Presidentësh në Bruksel.

LDK, përmes një deklarate për media, i kanë quajtur këto bisedime “të pa autorizuara me Serbinë”, duke e quajtur Presidentin “Kryetar i Kosovës”.

“LDK-ja vlerëson se Kryetari i Kosovës, z. Hashim Thaçi, i gjendur në një pozicion periferik sa i përket fuqisë politike, institucionale dhe i pa mundur të vendosë në funksion të tij, institucionet vendimmarrëse të vendit, Kryetari i Kosovës, z. Hashim Thaçi pa lejen e organeve ligjvënëse dhe kokë në vete ka filluar bisedime të pa autorizuar me Serbinë”, thuhet në këtë njoftim.

Më tej LDK ka thënë se ‘iniciativa’ e Thaçit për të krijuar kinse “Grupin e Unitetit” për bisedime me Serbinë është duke tentuar të prezantohet para ndërkombëtarëve si faktor unitetit ne vend.

“Në funksion të qëllimeve të tij meskine dhe për të kthyer reflektorët politikë kah vetja, në kohën kur partia e tij po vazhdon të mbajë peng formimin e institucioneve edhe pse është në kuotat më të ulëta historike të fuqisë së saj politike, z. Thaçi ka hedhur idenë e krijimit të një kinse “Grupi Uniteti” për bisedimet me Serbinë. Kjo jo për t`i funksionalizuar këto bisedime por për të vendosur vetën në qendër të tyre dhe për t`u prezantuar para miqve ndërkombëtarë si i vetmi faktor uniteti në vend”.

Tashmë lojërave të tij u ka dal ngjyra. Uniteti nuk ndërtohet duke zhvendosur fuqinë politike te institucionet pa tagër vendimmarrës e ekzekutues. Është Qeveria e Republikës së Kosovës, e mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ajo e cila ndërton platformën, udhëheqë bisedimet eventuale dhe implementon marrëveshjet”, thuhet në deklaratën e LDK-së