Deputeti i Partisë Socialdemkrate (PSD), Faton Topalli në seancën e sotme plenare ka thumbuar ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn.
Topalli i cili kishte planifikuar t’i bënte një pyetje parlamentare Lekajt, ka arsyetuar mungesën e ministrit në seancë, transmeton Indeksonline.
Deputeti Topalli tha se Lekaj ndoshta nuk është prezent në Kuvendin e Kosovës për shkak se e ka lodhë muaji i Ramazanit, duke e ditur se ai nuk i takon komunitetit mysliman.
“Nuk e di ndoshta e kisha prit edhe ma tutje por ndoshta zotëri Lekaj nuk është këtu ndoshta e ka lodhë Ramazani”, ka thënë Topalli duke vazhduar më pas me një pyetje ndaj tij.
I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit Lekaj, i cili i është përgjigjur Topallit përmes një statusi në Facebook.
Lekaj ka arsyetuar mungesën me pjesëmarrje në përurimin e segmentit të tretë të autostradës “Arbën Xhaferi”. Ai i ka thënë Topallit se sonte në natë Bajrami do të jetë në shtëpi për 20 minuta përmes autostradës së re.
Më poshtë postimi i Lekajt:
Deputet i nderuar, Faton!
Në këtë natë Bajrami, pas përfundimit të seancës, në qytetin tënde në Ferizaj do të jesh për 20 minuta, falë autostradës së re.
Ta rikujtoj që sot përuruam edhe pjesën e tretë të kësaj autostrade që vazhdon për në shtetin fqinj, Maqedoninë.
Mirëpres pyetjet e tua, të cilave do t’u përgjigjem me kënaqësi!
Udhë të mbarë dhe kujdes me shpejtësinë, miku im!
Urime Kosovë!