Lekaj me kritika për menaxhimin e pandemisë: Nuk fillon bota me qeverisjen e Kurtit

Lekaj me kritika për menaxhimin e pandemisë: Nuk fillon bota me qeverisjen e Kurtit

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka hedhur kritika ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti sa i përket menaxhimit të pandemisë COVID-19, transmeton Insajderi.

Ai përmendi faktin se Kosova është vendi i fundit në rajon që ka filluar vaksinimin.

Sipas tij, popullsia e Kosovës është e vogël dhe se nuk ka ndonjë problem që të vaksinohet secili qytetar.

“Ekzistojnë 31 milionë euro që janë ndarë nga ish-Qeveria Hoti. Me ardhjen e Qeverisë Kurti ata në vend së ta vazhdojnë me nënshkrimin e kontratës, ata shtynë nënshkrimin e kontratës”, ka deklaruar Lekaj në RTV Dukagjini.

Lekaj shtoi se nuk duhet të niset me paragjykimin se çfarëdo që kanë bërë qeveritë paraprake duhet të anulohen.

“Nuk fillon bota me qeverisjen e Kurtit dhe as nuk do të mbarojë. Kurti është dashur të shohë kontratat e nënshkruara nga Qeveria Hoti nëse janë bërë në mënyrë ligjore, e jo të refuzohet nënshkrimi e të dëmtohet shëndeti i qytetarëve”, tha ndër të tjera Pal Lekaj./Insajderi.com