Lekaj për 870 euro karburante: Këtu ka vetëm një të vërtetë – shihni aktivitetet e mia

Lekaj për 870 euro karburante: Këtu ka vetëm një të vërtetë – shihni aktivitetet e mia

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se “padrejtësisht” i është lakuar emri së fundmi, lidhur me shpenzimet e derivateve.

Në një listë të publikuar në media, ku janë deputetët të cilët kanë harxhuar më së shumti për derivate, figuron edhe Lekaj.

E për këtë Lekaj u arsyetua duke thënë se “jam banor rezident i Gjakovës, saktësisht në fshatin Novosellë”.
Mes tjerash, ka bërë të ditur se gjatë dy muajve të lartpërmendur ka marrë pjesë në dhjetëra mbledhje e seanca të Kuvendit.

“Komisioni për Ekonomi – 13 mbledhje te Komisionit, 3 mbledhje te grupeve punuese, 2 dëgjime publike; Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere – 10 mbledhje të Komisionit, 1 dëgjim publik; Kuvendi i Kosovës – 10 seanca të mbajtura (ku secila ka zgjatur nga 2-3 ditë për shkak të numrit të madh të pikave të rendit të ditës”, ka deklaruar deputeti Lekaj për Shqip.com.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët udhëtojnë për të marrë pjesë në seancat dhe komisionet funksionale në Prishtinë kompensohen me mjete financiare për shpenzimet e karburantit.

Mirëpo, praktika e tillë e kompensimit po kritikohet nga qytetarët të cilët e shohin të paarsyeshme marrjen e këtyre kompensimeve ngase “deputetët kanë paga të larta”.

Vendimi mbi kompensimin e deputetëve daton nga 10 tetori 2011 dhe parashihet që të kompensohen deputetët të cilët marrin pjesë në punimet e seancës dhe komisionet e caktuara ku deri në 30 kilometra udhëtim kompensohen me 10 euro, pastaj deri në 60 kilometra me 20 euro si dhe mbi 60 kilometra me 30 euro./Insajderi.com