Lëshohen në gjykim videot ku Haradinaj e Gucati shprehen të gatshëm të mbajnë burg për publikimin e dosjeve

Lëshohen në gjykim videot ku Haradinaj e Gucati shprehen të gatshëm të mbajnë burg për publikimin e dosjeve

Pasi mbrojtën deklaratën e parë për vetëdeklarimin e pafajësisë, ish-krerëve të OVL-UÇK’së i janë kujtuar në gjykimin që u mbajt të enjten në Hagë, deklaratat e tyre të bëra para se të arrestoheshin në shtator të vitit të kaluar ku thoshin se janë të gatshëm të mbajnë burg me vjet për publikimin e dosjeve, njofton Insajderi.com.

Sot kur edhe nisi gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, Prokuroria ka thënë se dy të akuzuarit kanë qenë në dijeni për veprën penale nëse i bëjnë publike dokumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ku ka pasur edhe emra dëshmitarësh e informacione konfidenciale.

Gjatë kësaj seance gjyqësore, janë shfaqur edhe disa video të cilat pretendohet se vërtetojnë që të akuzuarit kanë qenë në dijeni për pasojat pas publikimit të dokumenteve konfidenciale të Speciales.

Ndër to ishin edhe intervistat televizive në të cilat merrnin pjesë të akuzuarit, si dhe konferencat e mbajtura në zyrën e organizatës që po drejtonin atëkohë.

Madje, në një konferencë për media të Gucatit dhe Haradinajt sa ishin në krye të OVL-së së UÇK-së, një gazetar shihet ta kishte pyetur Haradinajn nëse e di që mund të dënohet deri në 10 vjet për publikimin e dosjeve të Speciales.

“Unë nuk e di, atë e dini ju dhe ata që e kanë votuar…Ne kemi qenë dhe jemi kundër kësaj Gjykate… Jo 10 vjet, po 300 vjet le të mi japin, ne do të publikojmë dosjet”, kishte thënë Haradinaj.

Në gjykatë u lëshua edhe një video-intervistë ku dëgjohet Nasim Haradinaj duke thënë se “me mujt për 5 minuta e shpërbëjmë atë gjykatë”.

Në anën tjetër, Gucati kishte deklaruar në një intervistë se “çdo dokument i kësaj Gjykate që më vjen tek dera e shtëpisë, do ta bëj publike për opinionin” dhe se është i gatshëm të mbajë burg deri në pesë vjet për këtë gjë.

Këto deklarata të Gucatit e Haradinajt do të përdoren kundër tyre në gjykimin që po zhvillohet në Hagë. Vazhdimi i gjykimit të tyre do të bëhet më 18 tetor, kur edhe do të paraqitet dëshmitari i parë në rastin e tyre. /Insajderi.com