Letër dashurie e Timmermansit për Britaninë e Madhe: Të dua

Mbretëria e Bashkuar për Bashkimin Evropian “gjithmonë do të jetë përsëri e mirëseardhur”, ka shkruar zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Frans Timmermans, në “letrën e dashurisë” të publikuar të enjten, një muaj para Brexitit, të caktuar për 31 janar.

Letër dashurie e Timmermansit për Britaninë e Madhe: Të dua

“Sinqerisht, më dhemb thellë që ke vendosur të shkosh”, ka shkruar Timmermans duke iu drejtuar Britanisë së Madhe të publikuar në sajtin e gazetës britanike “The Guardian”.

Më shumë se tri vjet pasi 52 për qind të britanikëve kanë vendosur të shkojnë nga BE, zëvendëspresidenti i Komisionit është “ende i pikëlluar që një anëtare e familjes sonë dëshiron t’i ndërpresë lidhjet tona pas 47 vjetëve të jetës sonë të përbashkët e të trazuar”.

“Por njëkohësisht ngushëllohem kur mendoj se lidhjet familjare kurrë nuk mund të ndërpriten. Ne nuk po ndahemi dhe gjithmonë do të jesh e mirëseardhur”, shkruan Fans Timmermans.

Ai shkruan për ndjenjat e para për Britaninë e Madhe, derisa si fëmijë mësonte gjuhën angleze në shkollën Sent George në Romë.

Prej asaj kohe kanë kaluar më shumë se 40 vjet, shkruan Timmermans dhe: “Tani të njoh. Dhe të dua. Për gjithçka që më ke ofruar. Unë jam si dashnor i vjetër: e di ku je e fortë dhe ku je e dobët. E di se mund të jesh bujare, por edhe koprrace. E di që mendon se je unike dhe ndryshe nga të tjerët. Natyrisht që je, në shumë mënyra, por ndoshta më pak se sa që mendon”, ka shkruar ai.

“Kurrë nuk do të ndalesh të na quash kontinent. Kjo të ndihmon të distancohesh nga ne aq sa konsideron që ke nevojë. Por, kjo të pengon të shohësh se të gjithë ne kemi nevojë për pak distancë në mes veti. Të gjitha kombet evropiane janë unike. Diferenca jonë është burim i admirimit, befasisë, mospëlqimit, moskuptimit, talljes dhe karikaturave dhe po, ky është burim i dashurisë”, shkruan Timmermans./Insajderi.com.